Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe erës së fortë, trageti i linjës Vlorë–Brindisi nuk ka mundur të ankorohet në kalatat e Portit të Vlorës, për shkak të rrezikut të përplasjes. Si pasojë, rreth 800 pasagjerë dhe 150 automjete, të cilët kishin prenotuar për udhëtimin e sotëm, nuk janë nisur, ndërsa lundrimi është pezulluar për arsye sigurie.
Ndërkohë, moti i keq ka ndikuar edhe në Portin e Durrësit. Mbrëmjen e djeshme, një traget që duhej të nisej drejt Barit nuk ka mundur të lundrojë, duke lënë rreth 650 pasagjerë në pritje. Ata janë njoftuar që në orët e pasdites për anulimin e udhëtimit, çka ka shmangur krijimin e kaosit në terminal. Nisja e tyre pritet të realizohet mesditën e sotme.
Autoritetet portuale të Durrësit bëjnë me dije se për ditën e sotme (e hënë) nuk parashikohen pezullime të tjera dhe se tragetet e linjës Durrës–Bari dhe anasjelltas do të lundrojnë në dopio corso. Udhëtarët këshillohen të qëndrojnë në kontakt me kompanitë e trageteve për informacion të përditësuar mbi oraret dhe imbarkimin.
Situata e motit të keq ka sjellë problematika edhe në disa zona të veriut të vendit. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, Përroi i Thatë në Malësi të Madhe ka dalë nga shtrati, duke përmbytur rrugë dhe toka bujqësore. Në fshatin Kamicë është dëmtuar rruga që kalon mbi përrua, duke vështirësuar qarkullimin mes Kamicës dhe Flakës.
Në qytetin e Koplikut është raportuar prani uji në rrugë, por situata paraqitet në përmirësim, pasi uji po tërhiqet gradualisht. Ndërkohë, në zonat malore vijojnë reshjet e dëborës. Segmenti Bogë–Theth, veçanërisht në zonën e Qafë Thores, kalohet me vështirësi, ndërsa në aksin Hani i Hotit–Dogana e Vermoshit ka pasur rënie inertesh dhe po punohet për pastrimin e rrugës.
