Bordi editorial i gazetës prestigjioze Financial Times, e cila normalisht përfaqëson pikëpamjen e botimit për çështje të ndryshme, publikoi mendimin e saj mbi situatën në Serbi dhe Presidentin Aleksandër Vuçiç , duke e quajtur regjimin e tij autoritar. Ata thonë se pas rreth një dekade në pushtet, udhëheqësit autoritarë përballen në mënyrë të pashmangshme me të njëjtin problem – të intensifikojnë represionin dhe të shtypin mediat e pakta të pavarura që kanë mbetur, ose të dorëzohen ndaj kërkesave të opozitës për reforma.
“Kjo ka ndodhur shumë herë në të gjithë botën në dekadat që nga Lufta e Ftohtë. Autokratët pothuajse gjithmonë zgjedhin qasjen e parë dhe bëhen më të ashpër. Me protestuesit antiqeveritarë në rrugët e kryeqytetit Beograd, Aleksandar Vuçiç tani përballet me këtë zgjedhje”, raportoi Financial Times. “Ai i mbajti marrëdhëniet me Moskën, por jo aq të ngushta sa të zemëronte BE-në dhe SHBA-në, duke mbyllur sytë ndaj shitjeve të armëve serbe në Ukrainë. Ai i joshi Pekinit për miliarda dollarë investime në industri dhe infrastrukturë. Edhe pse Serbia është ende vetëm një kandidate për anëtarësim në BE, Vuçiç ka lidhje të ngushta me udhëheqës të tillë si Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen”, sipas Financial Times.
Pavarësisht kësaj, ata theksojnë se Vuçiç nuk ka më hapësirë për manovrim në Serbi. “BE-ja dhe Britania e kanë toleruar këtë për një kohë shumë të gjatë. Realpolitika bazohej në dëshirën për të parandaluar Serbinë të rrëshqasë në orbitën ruse. Por kjo qasje nuk është më e qëndrueshme. Vuçiç duhet të detyrohet të jetë më i përgjegjshëm dhe të mbajë zgjedhje vërtet të drejta, kjo është e nevojshme gjithsesi për çdo shpresë për anëtarësim në BE”, përfundon Financial Times.
