Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se kryeministri Edi Rama po shkel rëndë Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregulloren e Parlamentit për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rama po pengon me qëllim procedurat parlamentare, ndërkohë që – sipas tij – prokurorët kanë kërkuar prej 20 ditësh heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut për vepra të rënda penale.
“Sot jam para jush për të denoncuar shkelje të rënda të Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe rregullores së Parlamentit nga Edi Rama, në mbrojtje të vetes dhe, në aparencë, të Belinda Ballukut,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se sipas rregullores së Kuvendit, raporti i Këshillit të Mandateve duhet të paraqitet brenda dy javësh nga dorëzimi i kërkesës së prokurorëve, ndërsa ky afat është tejkaluar.
Sipas Berishës, Balluku ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 1.2 miliardë eurosh ndaj qytetarëve shqiptarë, ndërsa vonesa e Parlamentit përbën një bllokim të hapur të drejtësisë.
“Edi Rama po sfidon qytetarët dhe po kryen një grusht shteti institucional duke bllokuar ndjekjen penale të qeveritarëve që janë bërë milionerë dhe miliarderë me taksat e shqiptarëve,” deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe e cilësoi situatën si një pengesë të rëndë për drejtësinë dhe transparencën.
