Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, deklaroi se numri real i pensionistëve që vazhdojnë të punojnë në Shqipëri mund të jetë shumë më i lartë se shifrat zyrtare, duke paralajmëruar se informaliteti në këtë kategori është kthyer në një problem serioz ekonomik dhe social.
I ftuar në një emision televiziv, Cara tha se sipas të dhënave zyrtare rezultojnë rreth 13 mijë pensionistë të deklaruar në marrëdhënie pune, por sipas tij numri real mund të jetë dy ose tre herë më i madh, ndërsa disa vlerësime flasin edhe për deri në 100 mijë pensionistë që punojnë të padeklaruar.
Sipas deputetit demokrat, fenomeni është më i përhapur në sektorë si fasoneria, industria e lehtë dhe bujqësia, ku mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni kanë shtyrë bizneset të mbështeten te pensionistët.
Cara argumentoi se pensionistët, të cilët kanë kontribuar për dekada në skemën e sigurimeve shoqërore, nuk duhet të detyrohen të paguajnë sërish kontribute.
“Kemi pensionistë që kanë punuar 35, 40 apo edhe 45 vite dhe kanë paguar kontribute. Nuk mund të detyrohen përsëri të paguajnë sigurime shoqërore”, deklaroi ai.
Igli Cara tha se projektligji i propozuar nga opozita synon heqjen e detyrimit për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për pensionistët e punësuar, duke e cilësuar masën si një mënyrë për të nxitur formalizimin e tregut të punës.
Sipas tij, nisma parashikon një periudhë testuese katërvjeçare dhe synon të ulë barrën financiare si për pensionistët ashtu edhe për punëdhënësit.
Deputeti demokrat pranoi se ka kundërshti nga përfaqësues të qeverisë, të cilët argumentojnë se heqja e kontributeve mund të ndikojë negativisht në skemën e pensioneve. Megjithatë, ai e kundërshtoi këtë logjikë, duke deklaruar se “nuk mund të justifikohet një padrejtësi me pretendimin se duhet mbajtur në këmbë skema e pensioneve”.
Sipas Carës, pensionet minimale dhe rritja e kostos së jetesës po i detyrojnë shumë të moshuar të rikthehen në tregun e punës, shpesh në kushte informale dhe pa mbrojtje ligjore.
