I cilësuar si “ferri mbi tokë”, ky është burgu ku mbahet presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro

Data

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, i arrestuar nga autoritetet amerikane më 3 janar, po mbahet në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, një nga burgjet federale më famëkeqe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo strukturë, e njohur shkurt si MDC Brooklyn, është përshkruar ndër vite nga organizata të të drejtave të njeriut dhe avokatë si një nga ambientet më të ashpra dhe problematike të sistemit federal amerikan të burgjeve. Për shkak të kushteve të rënda, ajo është cilësuar shpesh si “ferri mbi tokë”.

Burgu ndodhet në zemër të Brooklyn-it dhe shërben kryesisht si qendër paraburgimi për persona që presin gjykimin ose shpalljen e dënimit. Në çdo moment, aty mbahen rreth 1.600 të ndaluar. Edhe pse një pjesë përballen me akuza të rënda si trafik droge apo terrorizëm, shumica janë të paraburgosur për vepra penale më të lehta.

MDC ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave për mungesë ngrohjeje, ndërprerje të energjisë elektrike, ushqim të pamjaftueshëm, mbipopullim, akses të kufizuar në kujdes shëndetësor dhe izolim të zgjatur. Në disa raste, avokatët kanë denoncuar se të ndaluarit janë mbajtur për ditë të tëra në kushte çnjerëzore.

Nga ky burg kanë kaluar edhe figura të njohura ndërkombëtarisht, përfshirë bashkëpunëtorë të rrjeteve kriminale dhe personazhe të famshëm të akuzuar për vepra të rënda penale. Prania e Maduros në këtë strukturë ka tërhequr vëmendje të veçantë mediatike, duke rikthyer në fokus gjendjen alarmante të këtij institucioni.

Maduro pritet të dalë përpara gjykatës federale më 5 janar. Ai është në shënjestër të drejtësisë amerikane prej vitesh, i akuzuar për narko-terrorizëm, trafik droge dhe përfshirje në rrjete kriminale ndërkombëtare. Në aktakuzën më të fundit janë përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij.

Çështja e tij pritet të jetë një nga proceset më të ndjekura ndërkombëtarisht, ndërsa kushtet e paraburgimit në MDC Brooklyn po rikthejnë debatin mbi trajtimin e të ndaluarve në sistemin federal amerikan.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related