Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka hedhur sot një hap të fortë politik nga protesta para Kryeministrisë, duke deklaruar hapur se Shqipëria ka nevojë urgjente për një qeveri tranzitore që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Lapaj theksoi se kriza politike dhe institucionale nuk mund të zgjidhet me rotacion formal pushteti, por vetëm me çlirimin e votës nga frika, presioni dhe blerja.
“Pa qeveri tranzitore nuk ka zgjedhje”
“Vendi ka nevojë për zgjedhje të lira dhe kjo nuk ndodh me këtë qeveri. Zgjedhjet nuk organizohen nga ata që i kanë grabitur. Duhet një qeveri tranzitore, jashtë partive, jashtë pazareve politike,” u shpreh Lapaj.
Sipas tij, vetëm një administrim i përkohshëm, i çliruar nga interesat partiake, mund të garantojë një proces zgjedhor real dhe demokratik.
Dy emra jashtë politikës
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Lapaj propozoi dy emra konkretë për një qeveri tranzitore, duke theksuar se bëhet fjalë për figura pa lidhje partiake dhe me integritet publik.
“Janë njerëz që nuk kanë interesa politike dhe nuk i shërbejnë asnjë partie. Janë njerëz që mund të garantojnë lirinë e votës dhe drejtësinë e procesit zgjedhor,” deklaroi ai, duke përmendur Tritan Kalo dhe Përparim Kabo si shembuj.
“Ky regjim nuk ikën me lutje”
Lapaj nënvizoi se qeveria aktuale nuk ka më as legjitimitet moral dhe as politik për të organizuar zgjedhje.
“Ky regjim nuk ikën me fjalë të bukura dhe as me lutje. Ikën vetëm kur qytetarët marrin frikën për fyti dhe kërkojnë votën e lirë,” u shpreh ai.
Ai përsëriti se protesta dhe qëndresa do të vazhdojnë, derisa kërkesa për dorëheqje dhe qeveri tranzitore të mos mund të injorohet më.
