Elseid Hysaj ishte nxjerrë jashtë listave të Lazios që në muajin nëntor, pas dëmtimit të pësuar me Kombëtaren. Edhe pse rikuperimi i tij ishte i shpejtë, klubi vendosi ta mbante jashtë planeve, duke lënë të kuptohet se për të nuk kishte më hapësira, edhe për shkak se ndodhet në muajt e fundit të kontratës.
Megjithatë, rregullorja e Serisë A i jep mundësi trajnerit Maurizio Sarri që ta riaktivizojë përkohësisht mbrojtësin shqiptar gjatë merkatos së janarit, pasi në këtë periudhë listat e lojtarëve janë të hapura. Për këtë arsye, Hysaj është rikthyer mes të grumbulluarve në ndeshjen e parë të vitit 2026.
Emri i tij figuron në listën për sfidën e sotme ndaj Napolit, një duel shumë delikat kundër një skuadre pretendente për titull. Kjo i jep mundësi Hysajt të rikthehet në fushë pikërisht përballë ish-skuadrës së tij.
Një paraqitje e mirë mund të shërbejë si shans për të bindur klubin që t’i japë sërish besim edhe pas merkatos së janarit.
