Dy vajza adoleshente janë raportuar të zhdukura në Tiranë, pasi familjarët e tyre kanë denoncuar largimin nga banesa pranë Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, babai i një vajze 15-vjeçare ka kallëzuar se e mitura është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, duke ngritur shqetësim tek familjarët. Po ashtu, edhe nëna e një vajze 16-vjeçare ka denoncuar largimin e vajzës së saj nga shtëpia.
Policia bën me dije se strukturat përkatëse janë angazhuar për gjetjen e dy të miturave dhe po kryhen verifikime për zbardhjen e rrethanave të largimit të tyre.
“Në datën 25.12.2025, shtetasi F. M. kallëzoi se vajza e tij e mitur 15-vjeçare është larguar nga banesa. Po punohet për gjetjen e saj. Gjithashtu, shtetasja A. C. kallëzoi se vajza e saj e mitur 16-vjeçare është larguar nga banesa. Po punohet për gjetjen e saj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion të dobishëm, ta ndajnë atë me organet ligjzbatuese.
