Adriatik Lapaj ka thirrur një protestë në Tiranë, ndërsa Policia e Tiranës ka shpallur masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e tubimit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga ora 11:00 deri në përfundim të protestës do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”.
Autoritetet bëjnë me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Qytetarëve u kërkohet të shmangin lëvizjen me automjete në zonat që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur trafikun dhe vonesat.
Protesta pritet të zhvillohet në orën 12:00 dhe ka në fokus kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.
