Qeveria e Venezuelës ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për sulmet e ndodhura mëngjesin e sotëm në disa zona të vendit, duke i cilësuar ato si një akt jashtëzakonisht serioz që rrezikon stabilitetin e gjithë Amerikës Latine.
Sipas autoriteteve venezueliane, shpërthime të fuqishme, zhurma avionësh ushtarakë dhe lëvizje ajrore janë dëgjuar në orët e para të së shtunës në kryeqytetin Karakas. Qeveria konfirmon se përveç kryeqytetit, sulmet kanë prekur edhe tre shtete të tjera: Miranda, La Guaira dhe Aragua.
Presidenti Nicolás Maduro deklaroi se qëllimi i vetëm i këtij agresioni është marrja e kontrollit mbi burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet.
“Objektivi i vetëm i këtij sulmi është të marrë kontrollin e burimeve strategjike të Venezuelës. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar që vë në rrezik jetën e miliona njerëzve”, u shpreh Maduro.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë këtë veprim dhe u kërkoi qytetarëve venezuelianë mobilizim të plotë përballë asaj që e cilësoi si agresion të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të vendit.
“I gjithë vendi duhet të mobilizohet për të mposhtur këtë agresion”, tha Maduro, duke paralajmëruar se situata mbetet e tensionuar dhe se autoritetet janë në gatishmëri të plotë.
