Hëna e parë e plotë e vitit 2026, e njohur si “Hëna e Ujkut”, pritet të ndriçojë qiellin e natës këtë të shtunë, duke ofruar një spektakël të veçantë për adhuruesit e astronomisë.
Kjo do të jetë superhëna e katërt radhazi, pas Hënës së Korrjes në tetor, Hënës së Kastorit në nëntor dhe “Hënës së Ftohtë” në dhjetor. Dukshmëria e saj do të varet nga kushtet e motit, por nëse qielli është i kthjellët, Hëna do të shfaqet më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht.
Herën tjetër që Hëna do të duket kaq e madhe dhe e ndriçuar pritet të jetë në nëntor 2026.
Viti 2026 do të jetë i veçantë edhe për faktin se muaji maj do të ketë dy hëna të plota, çka do të thotë se gjatë këtij viti do të shënohen 13 hëna të plota në vend të 12. Hëna e plotë shtesë njihet si “hëna blu”, një fenomen që ndodh afërsisht çdo dy vjet e gjysmë.
Pse quhet “Hëna e Ujkut”?
Sipas traditave të vjetra, emri lidhet me dimrin e ashpër, kur ujqërit, të uritur nga të ftohtit dhe mungesa e ushqimit, afroheshin më pranë vendbanimeve dhe ulërimat e tyre dëgjoheshin më shpesh gjatë netëve me hënë të plotë.
Ky fenomen qiellor shënon një fillim simbolik të vitit të ri, duke sjellë një pamje mbresëlënëse për këdo që ngre sytë nga qielli.
