KLSH: Në treg qarkullojnë ilaçe të skaduara, shteti mbyll sytë para skandalit

Data

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin për një situatë tejet shqetësuese në tregun farmaceutik shqiptar, ku qarkullojnë ilaçe të skaduara ose pranë skadencës, ndërkohë që institucionet përgjegjëse shtetërore nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme.

Sipas raportit të auditimit, Fondi i Kujdesit të Sigurimit Shëndetësor nuk ka ushtruar verifikime të vazhdueshme dhe efektive, duke krijuar boshllëqe serioze në zinxhirin e sigurisë farmaceutike. Kjo neglizhencë ka lejuar që barna të parregullta të dalin në treg, të përdoren nga pacientët dhe madje të rimbursohen nga fondet publike.

KLSH thekson se fenomeni nuk është rastësor, por i përhapur gjerësisht në tregun farmaceutik. Ilaçet e skaduara apo shumë pranë afatit të përdorimit janë shpërndarë nga depo farmaceutike dhe janë shitur në farmaci me kontratë, duke u trajtuar nga shteti si produkte të rregullta për rimbursim.

Në raportin e auditit, të përfunduar në tetor 2025, thuhet se kjo praktikë përbën shkelje të rëndë të protokolleve mjekësore dhe bie ndesh me standardet e sigurisë dhe cilësisë së barnave. Përveç rrezikut të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve, situata ka shkaktuar edhe dëm financiar për buxhetin e shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se, pavarësisht evidencave për shpërndarjen e barnave të skaduara nga subjekte farmaceutike, Fondi i Kujdesit Shëndetësor ka vijuar rimbursimet, duke mos marrë masa ndëshkuese apo parandaluese.

Raporti nxjerr në pah një dështim serioz institucional në garantimin e sigurisë së barnave dhe kërkon ndërhyrje urgjente për forcimin e kontrollit, përgjegjësisë dhe transparencës në sektorin farmaceutik, përpara se pasojat mbi shëndetin publik të bëhen të parikuperueshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related