Në Shqipëri, mbi 100 mijë diabetikë luftojnë çdo ditë me një sëmundje që kërkon monitorim dhe trajtim të vazhdueshëm. Ndërkohë që qeveria paguan miliona euro për koncesione private dhe shërbime të pakryera, ajo nuk arrin dot të mbulojë as 120 lekë në ditë për fishat e diabetit, duke lënë pensionistët në një betejë të heshtur mes mbijetesës ekonomike dhe shëndetit të tyre.
Diabeti mellitus është një ndër sëmundjet kronike më të shpeshta në Shqipëri që shkaktohet nga niveli i lartë i glukozës në gjak dhe ka një prevalencë në rritje të vazhdueshme në vitet e fundit. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik në vitin 2022, meshkujt paraqiten me risk më të lartë, jo vetëm për t’u prekur nga kjo sëmundje, por edhe për të pasur një shkallë më të lartë vdekshmërie krahasuar me femrat.
Urbanizimi, mënyra sedentare e jetesës dhe rritja e konsumit të ushqimeve me energji të lartë sipas raportit, janë faktorë që pritet të ndikojnë në rritjen e rasteve me Diabet mellius tip 2.
Regjistri kombëtar i diabetit në Institutin e Shëndetit Publik tregon një rritje të vazhdueshme të incidencës nga viti 2014 deri në vitin 2018, ku ajo u rrit nga 23.2 në 26.3 raste për 10,000 banorë.
“Vitet e fundit, shkenca ka evoluar shumë në trajtimin e kësaj sëmundje në të paktën 3 aspekte kryesore-shpikja dhe prodhimi i shumë barnave të reja që ulin sheqerin në gjak, zbulimi dhe përdorimi i shumë paisjeve elektronike, aplikacioneve dietike dhe terpautike si dhe shtimi formave të edukimit tëdiabetikeve.” thotë mjeku/ja endokrinolog/e A.K.
