Një tërmet i fortë goditi sot, më 2 janar, Meksikën, duke shkaktuar panik dhe frikë te qytetarët, veçanërisht në kryeqytet. Lëkundjet sizmike ishin mjaft të forta dhe u ndjenë në shumë zona urbane.
Sipas Shërbimit Kombëtar Sizmologjik të Meksikës, tërmeti kishte një magnitudë prej 6.5 ballësh të shkallës Rihter, ndërsa epiqendra u raportua në rajonin jugor të vendit. Nga ana tjetër, Qendra Gjermane e Kërkimeve të Gjeoshkencës bëri të ditur se magnituda ishte 6.3 ballë, me epiqendër në shtetin Guerrero dhe një thellësi fokale prej rreth 10 kilometrash.
Dridhjet u ndjenë fuqishëm edhe në Mexico City, ku për pasojë presidentja e vendit, Claudia Sheinbaum, u detyrua të ndërpresë konferencën e saj të përditshme për shtyp. Menjëherë pas ngjarjes, ajo bëri të ditur se kishte komunikuar me autoritetet lokale të Guerrero-s dhe se, sipas informacioneve paraprake, nuk raportohej për dëme serioze apo viktima.
Autoritetet aktivizuan protokollet e emergjencës, ndërsa helikopterë qeveritarë fluturuan mbi kryeqytet për të vlerësuar situatën. Sipas njoftimeve zyrtare, deri në këto momente nuk janë konstatuar dëme të mëdha strukturore në Mexico City.
Shërbimet e emergjencës vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë në rast pasgoditjesh të mundshme.
