Qipro ka marrë zyrtarisht Presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian, nën sloganin “për një Europë që qëndron më e fortë dhe më e guximshme në një botë të trazuar dhe në ndryshim”.
Prioritetet kryesore të presidencës qipriote do të jenë forcimi i sigurisë në kontinent, rritja e autonomisë strategjike të Bashkimit Europian dhe zgjerimi i BE-së, i cilësuar si një domosdoshmëri gjeostrategjike dhe investim për të ardhmen e Europës.
Ky gjashtëmujor konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë, e cila hyn në vitin 2026 me të gjithë grupkapitujt e negociatave të anëtarësimit të hapura dhe me synimin për të nisur sa më shpejt procesin e mbylljes së tyre. Autoritetet shqiptare e shohin këtë periudhë si vendimtare për avancimin konkret drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në mesazhin e urimit drejtuar homologut qipriot, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu bindjen se Presidenca e Qipros do të ketë në fokus integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë proces një prioritet strategjik për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar angazhimin e qeverisë shqiptare për realizimin e objektivit të anëtarësimit në BE brenda këtij mandati, duke theksuar se viti 2026 do të jetë kyç për ecurinë e negociatave dhe përmbushjen e reformave të kërkuara.
