Ministria e Jashtme ka reaguar lidhur me zjarrin tragjik të ndodhur në një lokal nate në resortin e njohur të skive në Crans-Montana, Zvicër, ku humbën jetën 47 persona dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria bën me dije se deri në këto momente nuk ka shtetas shqiptarë mes viktimave, ndërsa përfaqësia diplomatike shqiptare në Zvicër është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase.
Sipas Ministrisë së Jashtme, autoritetet zvicerane vijojnë ende procesin e identifikimit të plotë të personave që kanë humbur jetën në këtë tragjedi të rëndë, ndërsa verifikimet janë ende në zhvillim.
“Përfaqësia jonë diplomatike në Zvicër është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase, të cilat po vijojnë verifikimet për identifikimin e viktimave. Deri në momentin që flasim, nga informacionet zyrtare nuk ka të dhëna për shtetas shqiptarë mes personave që kanë humbur jetën në tragjedinë e Crans-Montana,” thuhet në reagimin e ministrisë.
Ministria thekson se do të vijojë ndjekjen e situatës dhe do të informojë në kohë reale në rast se do të ketë zhvillime të reja në orët në vijim.
