Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zgjedhur ta presë ndërrimin e viteve ndryshe nga shumica e qytetarëve, duke e kaluar natën e Vitit të Ri përballë Kryeministrisë, në kuadër të një proteste simbolike kundër qeverisë.
Së bashku me disa mbështetës, Lapaj ka shtruar tryezën e festës në shesh, aty ku prej ditësh qëndron në formë proteste, si reagim ndaj skandaleve që sipas tij kanë përfshirë institucionet shtetërore, përfshirë edhe aferat me tenderat e AKSHI-t.
Ai ka theksuar se zgjedhja për ta kaluar Vitin e Ri në shesh nuk është një akt festiv, por një mesazh politik dhe qytetar, për të denoncuar mënyrën e qeverisjes dhe për të kërkuar përgjegjësi nga pushteti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lapaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke shkruar:
“Deri në 12 me familjen, pas 12-ës ju pres në shesh.”
Ky veprim vjen në vijim të aksioneve të tij publike, të cilat synojnë të mbajnë gjallë presionin qytetar dhe vëmendjen ndaj çështjeve të korrupsionit dhe qeverisjes në vend.
