Teliti: Industria dhe bujqësia në recesion prej tre vitesh, qeveria flet për sukses ndërsa fermerët hedhin prodhimin në kanal

Data

Ndërsa qeveria vijon të flasë për rritje ekonomike dhe suksese, realiteti në terren sipas ekspertëve të ekonomisë është krejt i kundërt. Dorian Teliti, ekspert i ekonomisë dhe nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, deklaron se dy shtyllat kryesore prodhuese të ekonomisë shqiptare, industria dhe bujqësia, ndodhen në rënie të vazhdueshme prej të paktën tre vitesh.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT-it, Teliti thekson se vetëm në tremujorin e tretë të vitit, industria ka pësuar një rënie prej 4.75 për qind, ndërsa bujqësia është tkurrur me 1.73 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas tij, kjo nuk është një situatë e përkohshme, por një trend i qëndrueshëm negativ që po godet sektorët që mbajnë peshën kryesore të punësimit, prodhimit vendas dhe eksporteve.

Teliti e cilëson absurde retorikën për sukses ekonomik, në një kohë kur prodhimi kombëtar bie. Sipas tij, rritja ekonomike për të cilën flet qeveria është e përqendruar te një grusht i vogël individësh dhe kompanish që përfitojnë tendera, kontrata dhe koncesione pa garë, duke krijuar një ekonomi klienteliste që dëmton konkurrencën dhe varfëron shumicën e qytetarëve.

Ai thekson se shqiptari i thjeshtë, biznesi i ndershëm dhe veçanërisht fermeri janë më të prekurit nga ky model ekonomik. Fermeri shqiptar, sipas Telitit, është më pak i subvencionuari në rajon dhe i pambrojtur përballë fuqizimit të euros dhe importit të produkteve të subvencionuara nga vendet fqinje. Si pasojë, prodhimet vendase shpesh mbeten pa treg dhe hidhen në kanale, një pamje që, sipas tij, nuk shihet në vendet e rajonit.

“Një ekonomi që nuk prodhon nuk mund të quhet ekonomi në zhvillim. Dy sektorët e vetëm prodhues, industria dhe bujqësia, janë në recesion të thellë, ndërsa përfitimet i marrin vetëm pak njerëz të lidhur me pushtetin”, shprehet Teliti.

Duke parë përpara, ai nuk shfaq optimizëm për vitin 2026, duke theksuar se pa një ndryshim rrënjësor të filozofisë dhe politikave ekonomike, situata do të mbetet e njëjtë. Sipas tij, ndjekja e të njëjtës rrugë, me të njëjtat instrumente dhe të njëjtin model, nuk mund të sjellë rezultate të ndryshme, ndërsa rënia e prodhimit tregon se ekonomia shqiptare nuk po zhvillohet në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related