Zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e mbyll vitin 2025 me një kallëzim të ri në Prokurorinë e Posaçme. Banorët e njësisë administrative Postribë në Shkodër kanë depozituar një padi penale ndaj saj, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe mosmarrje masash për ndalimin e ndotjes së mjedisit.
Në kallëzim përfshihen gjithashtu drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Petrit Malaj, si dhe kryesekretarja e ministrisë, Viola Haxhiademi. Sipas banorëve, gurorja që operon në zonë prej vitesh ka ndotur rëndë ujin e pijshëm, ajrin dhe tokën, duke vënë në rrezik shëndetin e komunitetit.
Banorët deklarojnë se prej rreth tetë vitesh furnizimi me ujë të pijshëm është i ndotur dhe i papërdorshëm, ndërsa institucionet përgjegjëse, pavarësisht ankesave të përsëritura, nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar aktivitetin e gurorës apo për të zgjidhur situatën.
“Me shtetin shqiptar kemi rënë në hall. Situata është shumë e rëndë dhe e papërballueshme. I bëjmë thirrje SPAK të veprojë, sepse jeta dhe shëndeti ynë janë në rrezik,” shprehen banorët në kallëzimin e tyre.
Më herët, komuniteti i Postribës ka zhvilluar takime edhe me kryebashkiakun e Shkodrës dhe prefekten e qarkut, por pa asnjë zgjidhje konkrete. Për këtë arsye, ata paralajmërojnë se do të depozitojnë kallëzim penal edhe ndaj kryebashkiakut Benet Beci.
Problematika e ndotjes nga gurorja në Postribë, sipas banorëve, vijon që prej vitit 2017 dhe përfshin disa fshatra të njësisë administrative, ndërsa shqetësimet e komunitetit kanë mbetur deri tani pa përgjigje.
