Personat me aftësi të kufizuar në qytetin e Lezhës kanë protestuar paraditen e sotme para filialit të Postës Shqiptare, pasi nuk kanë përfituar shpërblimin e fundvitit të premtuar nga qeveria.
Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Postës, duke kërkuar sqarime dhe marrjen e pagesës, të cilën e konsiderojnë jetike për përballimin e shpenzimeve të festave. Ata shprehen se ndodhen në kushte të vështira ekonomike dhe se mungesa e këtij bonusi i ka lënë pa asnjë mundësi për të kaluar fundvitin në mënyrë dinjitoze.
Protestuesit akuzojnë institucionet për mashtrim dhe neglizhencë, duke theksuar se premtimi për bonusin është bërë publikisht, por në praktikë nuk është zbatuar.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Postës Shqiptare në Lezhë sqarojnë se vonesa nuk varet nga ata, pasi fondet për shpërblimet ende nuk janë kaluar nga Thesari i Shtetit. Sipas tyre, pagesat do të kryhen menjëherë sapo fondet të mbërrijnë në dispozicion të Postës.
Personat me aftësi ndryshe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të mos i lënë në harresë, veçanërisht në prag të ndërrimit të viteve.
