Muaji dhjetor, i njohur për festat familjare dhe ato të fundvitit me miq e kolegë, po shoqërohet edhe me rritje të ndjeshme të rasteve të drejtimit të automjeteve nën ndikimin e alkoolit. Teprimet me pijet alkoolike kanë reflektuar drejtpërdrejt në statistikat e Policisë së Shtetit, duke e kthyer këtë periudhë në një nga më problematiket për sigurinë rrugore.
Vetëm gjatë dhjetorit, 127 drejtues mjetesh janë arrestuar dhe kanë përfunduar në paraburgim pasi u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Në dëshmitë e dhëna përpara gjykatës, shumica e tyre kanë pranuar se konsumimi i alkoolit përtej normave të lejuara lidhej me festat e fundvitit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se problemi nuk kufizohet vetëm në këtë muaj. Nga janari 2025 deri në fund të nëntorit, janë arrestuar gjithsej 1 757 shtetas për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, shifër që tregon një nivel të lartë të papërgjegjshmërisë në rrugë.
Sipas autoriteteve, drejtuesit e dehur që kanë shkaktuar aksidente janë dënuar me burg, ndërsa për rastet e tjera janë aplikuar masa alternative si puna në interes publik apo dënimi me kusht. Policia apelon për më shumë ndërgjegjësim, duke theksuar se alkooli dhe timoni janë një kombinim i rrezikshëm, veçanërisht gjatë festave, kur trafiku dhe lëvizjet janë më të shtuara.
Mesazhi i institucioneve është i qartë: festat duhet të jenë gëzim dhe jo shkak për tragjedi në rrugë.
