Viti 2025 e ktheu Prokurorinë e Posaçme në epiqendrën e zhvillimeve politike dhe institucionale në vend. Godina prej xhami u bë destinacion i shpeshtë për figura të larta të politikës, nga ministra e kryebashkiakë, deri te ish-kryeministra dhe ish-presidentë, duke shënuar një nga vitet më intensive të hetimeve ndaj korrupsionit në nivelet e larta.
Një nga dosjet më të bujshme ishte ajo ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Hetimet për paracaktim tenderash me vlerë dhjetëra milionë euro kulmuan në tetor, kur ajo u mor zyrtarisht e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro. Gjykata vendosi ndaj saj pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e përkohshëm në detyrë çoi SPAK-un të kërkonte nga Kuvendi leje për arrestimin e saj, duke shënuar edhe përplasjen e parë të fortë mes Prokurorisë së Posaçme dhe mazhorancës.
Po aq tronditës ishte arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ndaluar në zyrën e tij më 10 shkurt. Ai përballet me 13 akuza penale, shumica për korrupsion, dhe vijon të mbahet në paraburgim. Në të njëjtën dosje janë të pandehur edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka dhe dhjetëra persona të tjerë. Çështja ndodhet ende në fazën e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme.
Në vitin 2025, ish-kryeministri Sali Berisha vijoi paraqitjet periodike në SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, ku akuzohet për korrupsion. Në çdo dalje publike, ai hodhi akuza ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar atë të politizuar. Ndërkohë, ish-presidenti Ilir Meta, në paraburgim që prej tetorit 2024, vazhdoi përballjen me drejtësinë, ndërsa dosja ndaj tij, ish-bashkëshortes dhe bashkëpunëtorëve po shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u përball me dy procese të rëndësishme penale: aferën e sterilizimit dhe abuzimet me fondet e SASPAK. Ish-deputeti Jurgis Çyrbja po vuan dënimin në burg, ndërsa ish-ministri Lefter Koka përfitoi lirinë me kusht. Nga ana tjetër, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj mbetet nën hetim, ndonëse ndodhet jashtë vendit dhe ka kërkuar azil politik.
Në dyert e SPAK-ut u panë gjithashtu ish-ministra dhe deputetë të tjerë, ndërsa vijuan hetimet për ngjarje të vjetra si dosja e 21 janarit. Fundi i vitit u shënua edhe nga goditja e një grupi të dyshuar kriminal në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me shpallje në kërkim dhe masa sigurie për zyrtarë e biznesmenë.
Viti 2025 e vendosi SPAK-un në qendër të debatit publik dhe politik. Me hetime që prekën majat e pushtetit, gjithçka tregon se përplasja mes drejtësisë dhe politikës nuk do të ndalet as në vitin 2026.
