Fishekzjarrët janë pjesë e pandashme e atmosferës festive të fundvitit në qytetet shqiptare, por bashkë me spektaklin e dritave vijnë edhe rreziqe serioze për shëndetin dhe sigurinë publike. Çdo ndërrim vitesh shoqërohet me incidente që përfshijnë djegie, lëndime fizike dhe zjarre në banesa apo biznese.
Zjarfikësit theksojnë se për të shmangur pasojat, mjetet piroteknike duhet të përdoren vetëm sipas rregullave të përcaktuara. Ato nuk duhet të jenë lodra dhe përdorimi i tyre kërkon kujdes maksimal.
Sipas shërbimit zjarrfikës, fishekzjarrët duhet të përdoren vetëm nga persona mbi moshën e lejuar dhe të jenë të kategorive të autorizuara. Përdorimi i mjeteve të fuqishme apo profesionale rrit ndjeshëm rrezikun për shkak të zhurmës dhe përbërjes kimike. Po ashtu, përdorimi duhet të bëhet vetëm në ambiente të hapura dhe kurrsesi brenda banesave, pasi mund të shkaktojë zjarr në perde, mobilie apo çati.
Kujdes i veçantë kërkohet edhe në tregtimin e fishekzjarrëve. Ato duhet të shiten vetëm në ambiente të mbyllura dhe të sigurta, pasi një incident i vogël në hapësira të hapura apo tregje mund të sjellë pasoja të rënda për qytetarët përreth.
Në natën e ndërrimit të viteve, shërbimi zjarrfikës do të jetë në gatishmëri të plotë edhe gjatë aktiviteteve festive të organizuara nga institucionet, për të garantuar ndërhyrje të shpejtë në rast nevoje.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që festa të mos kthehet në rrezik dhe që fishekzjarrët të përdoren me përgjegjësi, në mënyrë që Viti i Ri të pritet me gëzim dhe jo me pasoja të rënda.
