BERZH 26 mln euro kredi klienteliste Samir Manes për ndërtimin e hotelit, Rama garant për oligarkun “prestanome”…

Data

Në vendet perëndimore listën e më të pasurve e kryesojnë ata biznesmenë që investojnë në teknologji dhe në prodhim, duke i dhënë frymë rritjes së ekonomisë dhe punësimit, por në Shqipëri ky fenomen i kapitalizmit nuk ekziston, pasi pasanikët më të mëdhenj janë ata përfitojnë lehtësira klienteliste nga shteti e politika. Një ndër ta është dhe oligarku Samir Mane, i cili sipas shifrave zyrtare është biznesmeni më i pasur i Shqipërisë. Ai ka përfituar si nga qeveria Berisha kur ishte në pushtet, tashmë dhe nga kryeministri Rama ligje të posaçme që kanë bërë që bizneset e tij të zhvillohen edhe më shumë. Edhe pse Rama ka qenë në dijeni të plotë, të një serie të gjatë falsifikimesh të pronave në bregdetin e Palasës, ishte po ai që miratoi me firmën e tij ndërtimin e fshatit turistik të Samir Manes, duke i dhënë kompanisë së tij ndërtuese mburojën juridike si “investitor strategjik”. Që nga viti 2014, e deri në gusht të 2024, Edi Rama i ka hapur rrugë betonizimit të “parajsës” për politikanët dhe vilave të tyre në Palasë ku vazhdon të ndërtojë Samir Mane. Kryeministri ia ka shtruar “rrugën” me petale Samir Manes, duke i lënë mundësinë që të marrë dhe kredi në bankat evropiane.

Banka evropiane 26 milionë euro kredi Samir Manes

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka dhënë dje 26 milionë euro kredi klienteliste oligarkut Samir Mane për ndërtimin e hotelit MGallery (Grupi Accor) në Green Coast. Nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes u zhvillua në ambientet e selisë së Intesa Sanpaolo Bank në Tiranë, me përfaqësues nga të gjitha palët. Për Intesa Sanpaolo Bank Shqipëri, ky financim u klasifikua si Financim ESG nën kategorinë e “ndërtesave energjitikisht efikase” dhe deri më tani sipas tyre është më i madhi në fushën e turizmit; një prioritet strategjik për vendin. Gjatë marrëveshjes u tha se projekti do të realizohet në një pozicion strategjik në Rivierën Shqiptare (në bregdetin e jugut), që konsiderohet si një nga destinacionet më tërheqëse turistike në vend. Por ajo që duhet të evidentohet në këtë rast është se Green Coast ka shkatërruar zonën duke e betonizuar zonën dhe duke shkatërruar vlerat natyrore te jugut te Shqipërisë. Ndërkohë që ndërhyrja te Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është bërë nga qeveria shqiptare e cila ka ndikim pranë kësaj banke. Shqipëria është partnere në këtë strukture dhe ka rol ekzekutiv pranë kësaj banke. Kjo fakton qartë se Edi Rama ka lobuar dhe ka qenë “garancia” për oligarkun që është nën hetim për pastrim parash me pushtetarë të korruptuar. Por në këtë rast del qartë se Samir Mane është “prestanome”, e thënë ndryshe menaxheri i bizneseve të Edi Ramës. Gazeta më poshtë do të tregojë edhe mënyrën se si oligarku ka përfituar statusin e investitorit strategjik, indiciet e SPAK dhe BKH për Green Coast dhe hetimet që janë hapur për oligarkun më të madh në Shqipëri nga drejtësia e re.

Dosjet e Samir Manes në SPAK

SPAK dhe BKH kanë indicie dhe dyshojnë se Green Coast është përdorur gjerësisht si lavatriçe për pastrimin e parave, si nga persona me rekorde kriminale, ashtu edhe nga zyrtarë të korruptuar të të gjitha niveleve. Pastrimi i parave është një proces që kërkon dy palë. Njëra palë është ajo që ka paratë në të zezë e që synon t’i fusë në sistem. Pala tjetër është ajo që e mundëson t’i fusë në sistem. Përgjegjësitë ligjore të secilës palë përcaktohen nga nenet 287 dhe 287/a të Kodit Penal. Për rastin e parë, neni 287 parashikon dënim me burg nga 7 deri në 15 vite. Kjo është njëra nga tre akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Arben Ahmetajt. Për palën e dytë, neni 287/a parashikon tekstualisht se: ‘Kushdo që blen, merr, fsheh apo, në një mënyrë tjetër, përvetëson për vete ose një palë të tretë, apo ndihmon në blerjen, marrjen, fshehjen ose përdorimin e parave apo mallrave të tjera, duke ditur se një person tjetër ka përfituar këto para apo mallra, si pasojë e kryerjes së një vepre penale ose veprimtarie kriminale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në tre vjet’. Në dosjet që po heton SPAK del se biznesmeni Samir Mane ka ‘mision’ të ndihmojë politikanët që të pastrojnë paratë dhe këtë e ka bërë me Arben Ahmetajn, por edhe me Metën, duke i blerë një vilë në Golem. Mane e bleu vilën me vlerë 350 mijë euro, ndërkohë që pikërisht këtë pronë Meta e kishte blerë në vitin 2003 për 60 mijë USD.

Si e nxori zbuluar Meta

“SPAK është një organizatë karagjoze, do me patjetër të më krijojë një lidhje me mikun tuaj, të dashur, Samir Mane, I kërkoj falje që po i përmend emrin, Unë nuk e kam fshehur raportin miqësor që kam pasur me të, do të krijojë lidhjen se çfarë ka ndodhur me ato 300 mijë euro që është blerë shtëpia nga ana e Samirit, dhe më pas ta ka shitur ty. Unë nuk e di se pse është deklaruar në atë vit e jo në një vit tjetër. Thonë se nga një përgjim, që del se unë kam ndikuar te Pirro Xhixha, për të favorizuar Samirin për këto te telefonisë. Është rasti i Plus që 10 apo 15 pronarë shqiptarë ngrinin pretendimin se kreu i AKEP po i dëmtonte. Nuk ka qenë vetëm Samiri më takimin që unë kam zhvilluar, ka qenë Armando Duka, kanë qenë pafund pronarë. Do të nxjerrë një lidhje për një gjë që nuk ekziston”, u shpreh Meta pak kohë më parë. Vila në fjalë është blerë për shifrën e 300 mijë eurove, dhe sipas Metës, prokuroria po kërkon nëse shitja e saj ka lidhje me çështjen e kompanisë telefonike, ku ai ka pasur një takim me biznesmenin, në cilësinë e ministrit të ekonomisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related