Detaje të reja janë bërë publike mbi hetimet për pengmarrjen dhe vrasjen e Renis Dobrës nga fshati Zenisht i Matit, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si grupi hetues arriti të gjurmojë autorët e dyshuar përmes analizës së automjeteve të përdorura në krim.
Sipas materialeve të publikuara, hetimet u fokusuan fillimisht te tre automjete që dyshohet se kanë qenë të përfshira në lëvizjet para dhe pas ngjarjes. Një prej tyre, një automjet tip “Range Rover”, u kthye për t’u dorëzuar në një pikë dhënieje me qira më 10 korrik, ku u kërkua edhe heqja e pajisjes GPS. Ky veprim ngjalli dyshime të forta tek hetuesit.
Automjeti u sekuestrua dhe iu nënshtrua ekspertizave të imtësishme, ku u gjetën fije floku, gjurmë gishtash, bidonë uji të përdorur dhe një mbetje me ngjyrë jeshile, e cila u dërgua për analizë kimike për të përcaktuar përbërjen biologjike.
Një ditë më pas, u dorëzua edhe një automjet tjetër i marrë me qira, tip “Volkswagen Golf 7”, ku gjatë këqyrjes u konstatuan sërish fije floku, gjurmë gishtash, si dhe materiale të tjera që u sekuestruan si prova.
Paralelisht, grupi hetues arriti të identifikojë edhe një automjet tip “Hyundai Santa Fe”, i cili dyshohet se ka shoqëruar automjetin e viktimës gjatë mbrëmjes së krimit. Ky mjet, së bashku me disa automjete të tjera, rezultoi të ishte marrë me qira nga i njëjti person, në data të ndryshme, pak ditë para ngjarjes.
Nga verifikimet e kryera në subjektin e dhënies me qira të makinave, rezultoi se automjetet ishin marrë dhe ndërruar disa herë brenda një periudhe të shkurtër, një fakt që përkonte me kohën e kryerjes së krimit dhe që u konsiderua tepër domethënës për hetimin.
Automjeti i viktimës, i nxjerrë më vonë nga një liqen, nuk kishte shenja të veprimeve të paligjshme në brendësi, përveç dokumenteve personale dhe të mjetit, të cilat ndodheshin ende në kroskot.
Të gjitha këto elemente, të kombinuara me dëshmi dhe dokumentacionin e qirasë së automjeteve, krijuan një zinxhir provash që i shërbyen hetimit për të ndërtuar skemën e lëvizjeve dhe përfshirjes së personave të dyshuar në vrasjen e Renis Dobrës. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësive penale.
