Viti 2025 do të mbahet mend si një nga periudhat më të rënda për rendin dhe sigurinë në vend, i shënuar nga një sërë ngjarjesh kriminale që tronditën opinionin publik. Nga vrasje të pazbardhura, deri te atentate dhe krime që prekën drejtpërdrejt sistemin e drejtësisë, bilanci i vitit mbetet i rëndë.
Gjatë periudhës janar–nëntor 2025, në Shqipëri u regjistruan 39 vrasje, ndërsa disa prej tyre mbeten ende pa autorë të identifikuar, kryesisht në zonat e veriut të vendit. Motivet variojnë nga konfliktet e vjetra familjare dhe hakmarrja, te sherret për motive banale apo përplasjet kriminale.
Muajt e parë të vitit u shoqëruan me disa vrasje të bujshme në Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Lezhë, ku në disa raste autorët u arrestuan, ndërsa në të tjera hetimet vijojnë ende. Gjakmarrja mbeti një nga pistat kryesore në disa krime të rënda, veçanërisht në zonat veriore.
Ngjarjet e verës dhe vjeshtës shënuan një përshkallëzim të situatës, me vrasje në ambiente publike, sulme me armë, por edhe krime të rënda mes të rinjve, përfshirë raste me viktima të mitura, që shkaktuan reagim të fortë në shoqëri.
Kulmi i tronditjes erdhi në tetor, kur një gjyqtar u ekzekutua brenda sallës së gjyqit gjatë një seance, një akt i paprecedent që goditi rëndë besimin te siguria e institucioneve të drejtësisë dhe nxiti reagime të forta nga autoritetet më të larta të shtetit.
Në javët e fundit të vitit, atentati pranë Rinasit dhe disa vrasje të tjera në qytete të ndryshme e vulosën 2025-ën si një vit të errët për sigurinë publike, duke ngritur shqetësime serioze mbi kriminalitetin dhe nevojën për masa më të forta parandaluese.
Autoritetet kanë deklaruar se hetimet për shumë prej këtyre ngjarjeve vijojnë, ndërsa viti që vjen pritet të shoqërohet me masa më të ashpra për goditjen e krimit dhe rikthimin e ndjenjës së sigurisë tek qytetarët.
