Kryeministri Edi Rama vijoi dje me bashkëbisedimin me komentuesit në rrjetet sociale. Pyetjes pse nuk arreston bufin e kënetës, të cilin ai i referohet kreut të PD-së, Sali Berisha, Rama u përgjigj se jetojmë në demokraci tashmë ku pushtetet janë të ndarë. Gjatë rubrikës “Sy m’sy”, Rama ka folur për ish-liderin e PS-së, Fatos Nanon teksa tha se për shkak të mungesës së Reformës në Drejtësi ish-kryeministri Sali Berisha e futi në burg. Sakaq, Rama shtoi se për masakrën e “21 janarit”, PS nuk mund të hakmerret dhe vetëm mund të krijonte një sistem drejtësie të pavarur e cila të gjykojë me paanshmëri. “Jetojmë në demokraci.
Pushtetet janë të ndarë. Nuk arreston qeveria, partia. Nuk arreston politika. Pavarësisht se në raste arrestimet e drejtësisë mbajnë erë jo të mirë, por kemi arritur një fazë të re të drejtësisë sonë. Fatos Nano e futi në burg ish kryeministri, bufi i kënetës e futi në burg vetë. Kjo ka marrë fund. këto historitë mos ia thoni vetes. Këtu është çështje drejtësie. Këto punë i di drejtësia. Më e qartë se s’ka rasti i 21 janarit. Çfarë mund të bënim ne? Reformën në drejtësi. Nëse nuk do kishte qenë reforma në drejtësi, do përsërisnim të njëjtat gjëra si ata me bufin e kënetës. Ne nuk jemi ata. Jemi drejt Europës.
Në këto kushte të ndryshimit tërësor, dhe filozofi. Është një ndryshim tërësor. PS u rikthye në qeveri në 97 me një kryeministër që doli nga burgu politik, që nuk u hakmor. Zgjodhi rrugën e pajtimit, me bashkëjetesë demokratike. Këto kushte çfarë mund të bëjë një forcë politike, veçse një reformë dhe ti thotë drejtësisë je e pavarur. Duke pranuar edhe koston e kafshimit në trupin e vet për shkak se korrupsioni nuk është problematikë me një pale por me një shoqëri të tërë, që lidhet me të gjithë pjesët e sistemit shoqëror.
