Nga fillimi i vitit 2026, shoferët në Itali do të përballen me tarifa më të larta në autostradat me pagesë, pas vendimit për rritjen mesatare të çmimeve me rreth 1.5 për qind në pothuajse të gjitha akset rrugore.
Rritja e tarifave vjen si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili është kundërshtuar hapur nga Ministria italiane e Transportit. Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e ndjeshme, deri në 1.9 për qind, do të aplikohet në aksin Salerno–Pompei–Napoli, një nga rrugët më të frekuentuara në jug të vendit.
Ndërkohë, edhe autostrada e Brennerit, e përdorur gjerësisht nga banorët e veriut dhe nga transporti ndërkombëtar, do të pësojë një rritje tarife prej 1.46 për qind.
Ministria e Transportit, e drejtuar nga Matteo Salvini, ka kritikuar ashpër këto rritje, duke argumentuar se ato rëndojnë qytetarët dhe bizneset në një kohë kur kostoja e jetesës mbetet e lartë. Salvini ka theksuar se në vitet e fundit janë shtyrë disa rregullime tarifash pikërisht për të shmangur presionin ekonomik mbi familjet italiane.
Sipas autoriteteve, tarifat e autostradave përcaktohen mbi bazën e kontratave afatgjata mes shtetit dhe kompanive koncesionare, duke marrë në konsideratë faktorë si inflacioni dhe kostot e mirëmbajtjes. Megjithatë, rritjet e reja pritet të ndezin debat publik, pasi prekin drejtpërdrejt miliona shoferë dhe sektorin e transportit në të gjithë Italinë.
