PD braktis reformat, Rama sfidon opozitën: “Punën do ta bëjmë, me ose pa ta”

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Partisë Demokratike për të bojkotuar komisionet e përbashkëta të reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, pas procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

I pyetur gjatë konferencës së fundvitit, Rama u shpreh se bojkoti i opozitës nuk do të ndalë punën e qeverisë dhe se reformat do të ecin përpara pavarësisht mungesës së demokratëve në tryezë.

Sipas tij, Partia Socialiste ka treguar vullnet bashkëpunimi duke mos propozuar kandidat për Avokat të Popullit dhe duke pranuar të votojë një emër nga opozita, por PD, siç tha Rama, ka zgjedhur sërish përçarjen dhe bllokimin.

“Kemi thënë qartë: ne nuk do të propozonim kandidat dhe do të zgjidhnim një nga ata që propozonte opozita. Nga gjithë ajo listë, kishte vetëm një që ‘shihte me një sy’. Të tjerët ishin politikë cirku. Dhe kur u pa që ky kandidat kishte shanse reale, filluan presionet dhe tërheqjet e firmave,” u shpreh Rama.

Kryeministri ironizoi gjithashtu sjelljen e opozitës, duke theksuar se bojkoti është zgjedhja e tyre dhe nuk mund të kthehet në pengesë për institucionet.

“Vijnë vetë, ikin vetë, bojkotojnë vetë. Është puna e tyre. Ne kemi detyrën të udhëheqim vendin dhe ta çojmë përpara. Nuk na merr askush peng, aq më pak ata,” deklaroi Rama.

Ai nënvizoi se reformat zgjedhore dhe territoriale janë të domosdoshme për vendin dhe se qeveria do t’i realizojë, qoftë me konsensusin e opozitës, qoftë pa të.

“Nëse duan t’i bëjmë bashkë, dera është e hapur. Nëse jo, do t’i bëjmë vetë. Nëse duan qeveri tjetër, le të fitojnë zgjedhjet. Nëse nuk i fitojnë, le të bëjnë punën e opozitës,” përfundoi Rama.

Deklaratat e kryeministrit thellojnë edhe më tej përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa reformat e paralajmëruara pritet të mbeten një tjetër fushë beteje politike në muajt e ardhshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related