Policia e Shtetit ka lëshuar një apel urgjent për qytetarët, duke paralajmëruar për një valë mashtrimesh të rrezikshme që po qarkullojnë në aplikacionin “WhatsApp”. Sipas Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, bëhet fjalë për një fushatë të organizuar mashtruese (phishing), e cila synon marrjen e kontrollit të llogarive personale të përdoruesve.
Autoritetet sqarojnë se mesazhet mashtruese zakonisht vijnë në formën e një kërkese për votim apo mbështetje për fitimin e një burse ose çmimi falas, shpesh në emër të një personi të njohur për marrësin. Në shumë raste, mesazhi dërgohet nga një kontakt real, i cili ka rënë më parë viktimë e mashtrimit, duke ndihmuar pa dashje përhapjen e tij.
Klikimi mbi këto lidhje i drejton qytetarët në faqe të rreme, ku u kërkohet të fusin kode verifikimi ose të dhëna personale. Këto informacione përdoren më pas nga autorët për të përvetësuar llogarinë e WhatsApp-it dhe për ta shfrytëzuar atë për mashtrime të tjera.
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e këtyre skemave, duke theksuar se asnjë institucion serioz nuk kërkon kode verifikimi apo të dhëna personale përmes mesazheve.
Për të shmangur rrezikun, qytetarëve u rekomandohet:
- të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur vijnë nga persona të njohur;
- të mos japin kurrë kode verifikimi, fjalëkalime apo informacione personale;
- të aktivizojnë verifikimin me dy hapa në WhatsApp;
- të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.
Policia njofton se po monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe apelon për vigjilencë të shtuar, sidomos ndaj mesazheve që premtojnë përfitime të shpejta, votime apo çmime “falas”, të cilat shpesh janë sinjali i parë i një mashtrimi kibernetik.
