“Fund cash-it?”/ Rama paralajmëron bizneset: Pagesat elektronike detyrim për të gjithë brenda 2026

Data

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e kryerjes së pagesave në Shqipëri, duke sinjalizuar fundin e dominimit të parasë cash në ekonominë e vendit.

Gjatë konferencës së fundvitit me mediat, Rama deklaroi se deri në qershor të vitit 2026, të gjitha bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe transportit do të jenë të detyruara të ofrojnë forma alternative pagese, përfshirë pagesat elektronike dhe me kartë, dhe jo vetëm pagesat në cash.

Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i një reforme më të gjerë, pasi objektivi i qeverisë është që brenda vitit 2026 çdo biznes në Shqipëri, pa përjashtim, të garantojë mundësinë e pagesave elektronike për qytetarët dhe vizitorët.

“Kemi hapur një kapitull të ri për të ulur përdorimin e cash-it në ekonominë e vendit. Janë vendosur disa limite si fillim dhe do të vijojmë me masa të tjera konkrete. Deri në qershor, bizneset në turizëm dhe transport duhet të ofrojnë detyrimisht pagesa elektronike. Brenda vitit të ardhshëm, kjo do të shtrihet në çdo biznes në Shqipëri,” u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, kjo nismë synon rritjen e transparencës financiare, formalizimin e ekonomisë dhe lehtësimin e pagesave për qytetarët vendas dhe turistët e huaj, të cilët shpesh përballen me vështirësi për shkak të mungesës së pagesave me kartë.

Deklarata e Ramës pritet të hapë debat mes sipërmarrësve, veçanërisht bizneseve të vogla, për kostot dhe përshtatjen me sistemet elektronike, ndërsa qeveria e konsideron këtë hap si të domosdoshëm për modernizimin e ekonomisë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related