“Zvarritje e qëllimshme për të shpëtuar Ballukun”/ Bardhi: Mazhoranca po bllokon drejtësinë, PD kërkon mbledhje urgjente më 6 janar

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër për vonesat në shqyrtimin e kërkesës së SPAK ndaj Belinda Ballukut, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë dhe një tentativë të hapur për të penguar drejtësinë.

Në deklaratën e tij për mediat, Bardhi theksoi se nuk ka ndodhur kurrë më parë që Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit të zvarrisë për dy javë shqyrtimin e një kërkese për arrest, me justifikimin se e pandehura ka kërkuar më shumë kohë për t’u mbrojtur.

Sipas tij, çdo person ndaj të cilit kërkohet masa e arrestit tenton ta shtyjë procesin sa më shumë të jetë e mundur, por kjo nuk mund të shërbejë si arsye për të bllokuar procedurat ligjore. Bardhi shtoi se në këtë rast po i jepet përparësi kërkesës së një personi që akuzohet për abuzim me vlerë 1.1 miliardë euro, në dëm të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

Ai kujtoi se ligji parashikon që kërkesa e SPAK të shqyrtohet brenda 3 deri në 5 ditëve, ndërsa sot kanë kaluar plot dy javë pa u realizuar as dëgjimi i prokurorisë në Kuvend.

“Kjo vonesë është e pajustifikueshme dhe ka vetëm një qëllim: t’i japë kohë të mjaftueshme të pandehurës për të prishur prova dhe për të intimiduar dëshmitarët,” u shpreh Bardhi.

Në përfundim, ai bëri të ditur se Partia Demokratike do të rithërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit më 6 janar, në orën 11:00, duke paralajmëruar se opozita nuk do të lejojë që Kuvendi të shndërrohet në mburojë politike për persona nën hetim penal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related