SPAK fut në skaner pasuritë e Berishës që nga viti 1995, si kanë ndryshuar të ardhurat e tij gjatë 30 viteve, nga pallatet, fabrikat, vilat, disa shtëpi e qindra mijëra euro, “gropën” mund t’ia bëjë Argita dhe Shkëlzeni, ja detajet e bujshme nga dosjet konfidenciale bankare që janë në duart e amerikanëve dhe britanikëve
Të fuqishmit po bien një e nga një nga froni për pasuritë marramendëse që kanë vendosur nga hiçi. Është çështje kohe që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të fundosen nga SPAK. Në skanerin e drejtësisë së re është edhe ish-kryeministrit Sali Berisha bashkë me familjen e tij. Në një dosje voluminoze që po heton SPAK renditen të gjitha argumentet se si një kryeministër ka vënë shtetin në shërbim të familjes së tij. Ka ndryshuar ligje, ka ngritur agjenci e zyra, të gjithë në funksion personal. Madje ka bërë presion e shkarkuar nga detyra këdo që i ka dalë kundra. SPAK tashmë ka në dorë paligjshmëritë e institucioneve dhe procedurat e dyshimta për tjetërsimin e pronës. Por jo vetëm kaq. Hetimi për të zbardhur dosjen për korrupsion dhe pasurim nëpërmjet pushtetit të Berishës është shtrirë deri në vitin 1995, madje në skanerin e SPAK janë futur dhe mbesat e ish-kryeministrit. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë shkaktoi tërmet me vendimin e saj vitin e kaluar. Drejtësia vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare. Një prej pasurive që është vendosur nën sekuestro preventive është edhe një vilë luksoze në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon edhe pushimet, për të cilën ai ka deklaruar se vila nuk është e tij, por e së bijës Argitës dhe bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezit. Kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi hetimet përfundimtare do të nxjerrin pasuri marramendëse, të cilat familja “Berisha” nuk i justifikon dot.
Pasuria e Berishës
Qëndrimi për gati 30 vite në politikë i Berishës, duket se ka pasur dhe benefitet e veta. Ai është ndër politikanët më jetëgjatë në vend, duke pasur pothuajse të gjitha postet që mund të dëshironte çdokush, nga president, kryeministër, deputetë, kryetar partie, etj. Por këto poste që ai ka mbajtur kanë ndikuar dhe në të ardhurat e familjes së tij, pasi çdo vit fitimet janë shtuar ndjeshëm, sidomos gjatë periudhës 2005-2013, periudhë kur Sali Berisha mori drejtimin e qeverisë. Gazeta “SOT” ka marrë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të gjitha deklarimet që ish-kryeministri ka bërë sa i takon të ardhurve të tij. Sot po pasqyrojmë pasurinë e deklaruar nga Berisha që prej vitit 2003 e deri në vitin 2022, pasi për vitin 2023, duhet të presim marsin e 2025. Berisha deklaron në çdo studio televizive se pasuria e tij është vetëm një apartament dhe 100 mijë euro kursime nga pagat. E vërteta është se familja Berisha ka një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro. Kjo pasuri është në emër të dy fëmijëve, Shkëlzenit dhe Argitës, si dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Pasuria me vlerë marramendëse, ku përfshihen pallate, fabrika, apartamente dhe qindra mijëra euro, është krijuar kryesisht pas vitit 2006, që përkon me ardhjen në pushtet të Sali Berishës. Ky fakt konfirmon se treshja Shkëlzen-Argita-Jamarbër është pasuruar nën hijen e pushtetit të Berishës si kryeministër, siç është provuar edhe nga dosjet e britanikëve dhe amerikanëve, të cilat janë në duart e SPAK.
Provat që kanë britanikët dhe amerikanët
Vetë Berisha tha se Londra e akuzon se ka prova për vajzën e tij, e cila ka vepruar si portiere për investitorët që vinin në Shqipëri. Në dosje ata kanë llogaritë bankare dhe veprimtarinë e vajzës së tij, të cilat ai i quan mashtrime pasi janë prova të aktiviteteve dhe llogaritë individuale bankare të një studioje tjetër ligjore, madje dhe llogari private të personave të tjerë, të cilat pa asnjë prove, i citon si pjesë e pasurisë së vajzës së tij. Dosjet konfidenciale bankare zbulojnë sesi një studio ligjore në pronësi të vajzës me ndikim të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha u bë një portë për investitorët e huaj të mëdhenj që kërkonin licenca, leje dhe mbështetje politike nga qeveria e babait të saj. Pak muaj pasi Sali Berisha u zgjodh kryeministër i Shqipërisë në vitin 2005, vajza e tij Argita Malltezi u kthye në shtëpi nga Prishtina, duke lënë pas një punë të mirë paguar në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, për të hapur një zyrë ligjore në kryeqytetin Tiranë.Duke u bashkuar me një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj në UNMIK, Flutura Kola, ata krijuan tre firma avokatësh-Malltezi&Kola, Kola&Associates dhe Malltezi&Associates, duke ndarë një zyrë dhe një listë në rritje të klientëve fitimprurës.Në pak muaj, ata u bënë avokatët e kërkuar për kompanitë shumëkombëshe që kërkonin të investonin në ekonominë shqiptare në rritje të shpejtë.Por ish-klientët pretendojnë se e kanë punësuar Malltezin për lidhjet e saj familjare dhe për të anashkaluar kërcënimet e shantazhit, jo vetëm për aftësitë e saj ligjore.
Ndryshimi i pasurisë
Sa i takon Berishës, në vitin 2003, kur nisën dhe deklarimet e pasurisë, ish-kryeministri si pasuri të paluajtshme ka deklaruar vetëm një apartament të fituar nga procesi i privatizimit pas rrëzimit të regjimit komunist. Bëhet fjalë për një apartament 69 metër katror, por që Berisha në këtë periudhë zotëronte vetëm 33 për qind të tij. Po ashtu ka deklaruar rreth 5 milionë lekë të vjetra KESH, ndërsa i ka dhënë vajzës 21 mijë euro borxh. Por duke kaluar nga viti në vit pasuria e tij ka ndryshuar ndjeshëm, sidomos te fëmijët e zotit Berisha. Në vitin 2004 ai ka deklaruar vetëm pagën e tij si deputet, ndërsa në 2005 kur mori detyrën e kryeministrit, të ardhurat ndryshuar ndjeshëm. Ai ka deklaruar llogari bankare rreth 15 milionë lekë të vjetra si dhe disa piktura apo suvenire argjendi të dhuruara nga homologët e tij. Në vitin 2006 ka qenë bashkëshortja e tij që ka shtuar llogaritë bankare me të ardhura kryesisht nga paga në mjekësi. Po ashtu Berisha ka deklaruar 800 mijë lekë të reja kesh, ose 8 milionë lekë të vjetra. Ndërsa në vitin 2008 ka nisur deklarimi i pasurive nga dy fëmijët e tij, Argita dhe Shkëlzen Berisha. Ajo që bie në sy është se ata kanë pasuri me dhjetëra milion lekë në vit, ndërsa në disa raste shkojnë dhe në qindra mijëra euro. Ata kanë deklaruar llogari bankare brenda dhe jashtë vendit. Zonja Argita ka deklaruar llogari në një bankë amerikane, ndërsa Shkëlzen Berisha ka deklaruar llogari në një bankë suedeze.
