Pavarësisht deklarimeve zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit se sistemi self-care është funksional, bizneset dhe profesionistët e financës raportojnë se problemet vijojnë edhe sot, duke penguar normalisht ushtrimin e aktivitetit ekonomik.
Ekonomistë dhe kontabilistë pohojnë se sistemi nuk lejon shkarkimin e faturave, kërkon tentativa të përsëritura për çdo veprim dhe shpesh shfaq mesazhe gabimi që e bëjnë praktikisht të papërdorshëm. Sipas tyre, fakti që sistemi hapet sporadikisht dhe lejon vetëm disa komanda nuk mjafton për ta quajtur funksional.
“Kur për një veprim që kërkon disa klikime duhet të provosh dhjetëra herë gjatë ditës, nuk mund të flasim për funksionim normal,” shprehen profesionistë të fushës. Të tjerë theksojnë se të dhënat nuk janë transmetuar plotësisht dhe se faturat e blerjes shfaqen pjesërisht ose me vonesa disa ditore.
Nga ana tjetër, burime pranë AKSHI-së këmbëngulin se sistemi punon dhe se problematikat lidhen me ngarkesën, duke e cilësuar funksionimin “normal”. Kjo përplasje mes deklaratave zyrtare dhe realitetit në terren ka rritur pakënaqësinë e bizneseve, të cilat prej javësh janë përballur me bllokime serioze për shkak të mosfunksionimit të sistemit.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar rrezikun e penaliteteve për biznese që nuk kanë faj në këto vonesa. Edhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë ka kërkuar një plan emergjence dhe shtyrje të afateve për dorëzimin e bilanceve, duke theksuar se rakordimi i të dhënave është kthyer në një proces të pamundur.
Ndërsa institucionet flasin për funksionim, bizneset vijojnë të përballen me pasiguri, vonesa dhe rrezik ndëshkimesh, duke e kthyer self-care nga një mjet lehtësues në një pengesë serioze për ekonominë.
