“SMS nuk janë prova”/ Rama del në mbrojtje të Ballukut dhe sfidon SPAK: Pabarazia në tendera s’është korrupsion

Data

Kryeministri Edi Rama ka marrë hapur në mbrojtje zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po trajtohet dosja ndaj saj dhe duke relativizuar rëndësinë e komunikimeve telefonike si prova penale.

Gjatë konferencës së fundvitit, Rama u shpreh se mesazhet (SMS) nuk mund të konsiderohen prova korrupsioni dhe se pabarazia në tendera, ndonëse mund të përbëjë shkelje ligjore, nuk përbën automatikisht korrupsion.

“Që kur mesazhet janë prova? Që kur bëhen gjyqe mbi bazën e sms-ve? Në Shqipëri bëhen mijëra prokurime, miliona ndërveprime. Nuk mund të çoroditet dynjaja me llafe”, deklaroi Rama, duke nënvizuar se drejtësia duhet të funksionojë mbi standarde të qarta dhe jo mbi presione mediatike apo perceptime publike.

Kryeministri solli si shembull raste që sipas tij tregojnë një qasje të tepruar ndëshkuese nga drejtësia, duke përmendur edhe dënime që, sipas Ramës, nuk kanë lidhje reale me korrupsionin. Ai foli për një rast të një kryetari bashkie që u dënua për prerje pemësh gjatë hapjes së një rruge për komunitetin, duke e cilësuar vendimin “skandaloz”.

“Jo se prerja e pemëve nuk është krim, por ka raste që janë turp. Ka raste që lidhen me pabarazi në tendera, por kjo është vepër penale administrative, jo korrupsion”, u shpreh Rama.

Në vijim, kryeministri paralajmëroi për rrezikun e shkatërrimit të jetës personale dhe familjare të individëve që përfshihen në procese hetimore pa prova të forta, duke theksuar se drejtësia demokratike ka vendosur kufij pikërisht për të shmangur këto pasoja.

“Për çfarë i duhet pafajësia një njeriu, kur i është shkatërruar jeta dhe familja? Kush ia kthen mbrapsht jetën? Prandaj drejtësia demokratike nuk lejon gjithçka që ndodh sot këtu”, tha Rama.

Deklaratat e kryeministrit pritet të ndezin debate të forta politike dhe institucionale, pasi perceptohen nga kritikat si një mesazh presioni ndaj drejtësisë, ndërsa mbështetësit e shohin si një përpjekje për të vendosur kufij mes shkeljeve administrative dhe korrupsionit penal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related