“2025, bilanci i aferave”/ Xhixho shpërthen: Inceneratorët, Tuneli i Llogarasë dhe AKSHI dëshmi të një shteti të kapur nga korrupsioni

Data

Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka bërë një bilanc të ashpër të vitit 2025, duke e cilësuar atë si “vitin e vjedhjeve dhe korrupsionit të Rilindjes”, ku sipas saj u ekspozuan hapur aferat më të mëdha financiare të qeverisë Rama.

Në deklaratën e saj publike, Xhixho thekson se inceneratorët përbëjnë provën më flagrante të një mega-afere korruptive, ku sipas saj janë zhdukur rreth 420 milionë euro për impiante që nuk ekzistojnë. Ajo nënvizon se shqiptarët vazhdojnë të paguajnë rreth 90 mijë euro në ditë për një shërbim që nuk ofrohet, ndërsa ndotja dhe keqmenaxhimi kanë kthyer mbetjet në një problem madhor kombëtar.

Një tjetër simbol i abuzimit, sipas Xhixhos, është Tuneli i Llogarasë, ku vjedhjet e dyshuara arrijnë deri në 75 milionë euro. Ajo e cilëson këtë projekt si shembull të arrogancës së pushtetit, me kosto të fryra, mungesë transparence dhe përqendrim tenderash në pak duar. Në të njëjtën linjë, Xhixho përmend edhe rrugë të tjera publike me kosto marramendëse, si Korçë–Ersekë apo Qukës–Qafë Plloçë, që sipas saj janë kthyer në “rrugë floriri” për shkak të korrupsionit.

Në fokus të kritikave ishte edhe Unaza e Tiranës, ku qytetarët, sipas saj, do të paguajnë mbi 22 milionë euro për kilometër, para që përfundojnë në xhepat e klientëve të pushtetit. Ajo akuzon qeverinë se po mbron zyrtarë të lartë nën hetim dhe se po pengon drejtësinë duke refuzuar heqjen e imunitetit.

Xhixho ndalet edhe te dosja e AKSHI-t, të cilën e cilëson si një nga aferat më të rënda, ku shteti digjital është shndërruar në “minierë ari” për abuzime. Sipas saj, vetëm në vitet 2017–2025 janë menaxhuar mbi 530 milionë euro, ndërsa rrjedhja dhe dublikimi i të dhënave ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.

Në planin social, Xhixho thekson kontrastin e thellë mes luksit të qeveritarëve dhe varfërisë së qytetarëve. Ajo përmend rritjen e çmimeve, vështirësitë për pensionistët, pamundësinë e të rinjve për të blerë banesa dhe dështimin e sistemit arsimor e shëndetësor. Sipas saj, ndërsa familjet shpenzojnë rreth 40% të buxhetit për ushqim, qeveritarët jetojnë në luks ekstrem, duke përfshirë udhëtime charter dhe shpenzime miliona euro.

“Ky nuk është dështim, është papërgjegjshmëri kriminale”, deklaron Xhixho, duke shtuar se viti 2025 tregoi qartë një shtet në shërbim të oligarkëve dhe jo të qytetarëve.

Në përmbyllje, ajo paralajmëron se 2026 do të jetë viti i përballjes, i qëndresës qytetare dhe i përpjekjes për t’i dhënë fund asaj që e quan “narkoqeveri”, me synimin për t’i rikthyer shpresën dhe shtetin shqiptarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related