Skandali i mikrokredive, që preku qindra mijëra qytetarë shqiptarë, vijon të mbetet një nga çështjet më të rënda financiare të viteve të fundit, ndërsa një nga figurat kryesore institucionale që duket se po amnistohet nga përgjegjësia është guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Roli i Bankës së Shqipërisë në mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare jo-bankare ka qenë thelbësor, por sipas kritikëve dhe dokumenteve hetimore, mungesa e kontrollit dhe mosveprimet institucionale krijuan terrenin për abuzime masive, tarifa të paligjshme dhe zhvatje sistematike të klientëve nga shoqëri të mbledhjes së borxhit.
Prej më shumë se një viti, institucionet ligjzbatuese kanë verifikuar rolin e guvernatorit në këtë skandal. Një raport voluminoz i Ministrisë së Drejtësisë u depozitua fillimisht në Prokurorinë e Tiranës, ku u ndërmorën verifikime dhe u vendosën masa sigurie kryesisht për pronarët dhe drejtuesit e institucioneve financiare private. Dosja u fragmentua në disa nënprocedime, një prej të cilave kishte në fokus edhe Gent Sejkon.
Pas disa muajsh hetimesh, në prill 2025, kjo pjesë e dosjes iu transferua Prokurorisë së Posaçme, me argumentin se vetëm SPAK ka kompetencë për të hetuar guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Procedimi penal u regjistrua, por që prej asaj kohe dosja duket se ka mbetur në sirtar.
Deri më tani, nuk është parë asnjë zyrtar i lartë i Bankës së Shqipërisë, përfshirë guvernatorin, drejtorët apo anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, të paraqitet në SPAK për t’u marrë në pyetje. Kjo ka ngritur dyshime serioze për një përpjekje institucionale për të mbyllur çështjen pa përgjegjësi penale, duke shmangur një precedent të ngjashëm me rastin e ish-guvernatorit Ardian Fullani.
Më 24 dhjetor 2025, në Gjykatën e Posaçme u zhvillua një seancë për dosjen “Gent Sejko”. Kjo ishte kërkesa e dytë për pushimin e procedimit penal. Kërkesa e parë ishte bërë nga Prokuroria e Tiranës, por u rrëzua për mungesë kompetence. Edhe SPAK, përmes prokurores Dorina Bejko, ka kërkuar pushimin e çështjes, por gjyqtarja e çështjes ka insistuar që hetimet të vijojnë, duke konstatuar se ekzistojnë elementë që kërkojnë verifikim të thelluar.
Gjykata i ka dhënë SPAK-ut 60 ditë afat për të vendosur përfundimisht nëse Gent Sejko do të merret i pandehur për shpërdorim detyre apo nëse procedimi penal do të pushohet për mungesë provash.
Hetimi lidhet drejtpërdrejt me skemën e mbledhjes së borxhit, ku përfshihej shoqëria MicroCredit Albania, zyra private përmbarimi, noterë dhe subjekte të tjera të lidhura, që dyshohet se kanë ndërtuar një mekanizëm abuziv me pasoja të rënda sociale dhe financiare. Dyshimet përfshijnë shpërdorim detyre, mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ndërsa hetimet vijojnë, pyetja që mbetet pezull është nëse drejtësia do të shkojë deri në fund, apo nëse guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të përfitojë nga një amnisti de facto, duke u shmangur nga përgjegjësia për një nga skandalet më të mëdha financiare që ka njohur vendi.
