Ndër të të parët që u befasuan me njoftimin e kryeministrit Rama nga maja e Nju Jorkut për krijimin e “një shteti sovran bektashi brenda kryeqytetit shqiptar” ishin ata që mendohet të ishin përfituesit e kësaj dhurate si nga qielli: pikërisht përfaqësues të kryesisë së Urdhrit Bektashi, të cilët u panë të kapur gafil dhe të thonin nëpër studiot televizive se “nuk dinin gjë”, “nuk kishin folur në kryesi për këtë gjë ”, e tjerë.
Ndërkohë, në media u publikua një letër e vitit 2017, nënshkruar nga Baba Mondi, kreu i Kryegjyshatës Botërore, drejtuar kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit të asaj kohe, Meta dhe Ministrisë së Jashtme.
Në këtë letër ai kërkon akordimin e një statusi të barazvlefshëm së paku me Nunciaturën apostolike në Tiranë. Nunciatura është një përfaqësi diplomatike, në këtë rast e Vatikanit, sikurse janë të gjithë ambasadat e huaja në vendin tonë. Nuk po ndalem të shtjelloj sa i shkon një komuniteti fetar të ketë statusin e një ambasade të huaj në vendin e vet. Por mund ta lexojmë e mirëkuptojmë dashamirësisht këtë kërkesë si një nevojë për mbrojtje të barasvlefshme me imunitetin diplomatik të selive respektive.
Ajo që spikat në ballafaqimin e dy opsioneve është diferenca e madhe mes asaj që ka kërkuar Kryegjyshata dhe asaj që njoftoi Rama.
Kryeministri praktikisht ka menduar të ofrojë as më shumë e as më pak se një shtet. Një shtet të pakërkuar nga subjekti që do ta gëzonte. Në inversin e shprehjes së njohur “ i jep dorën të merr krahun”, ai ofron krahun pasi i kanë shtrirë lutjen e dorës. Si në përrallën e Aladinit. Kësisoj, në versionin e suksesit të projektit të tij, ai kuturis të ketë autorësinë e pandashme të krijimit të një shteti të ri sovran brenda Tiranës. Nga dy shtete që kemi si komb të bëhemi me tre.
Rama e ka argumentuar projektin e shtetit të ri pikësëpari duke lartësuar vlerat e mëdha të sektit bektashian, kontributin e jashtëzakonshëm të përfaqësueseve më të shquar të këtij komuniteti në formimin e ndërgjegjes kombëtare, në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe në gjithë historinë mbi njëqindvjeçare të tij deri në ditët tona. Kushdo që ka një minimum njohurish për historinë tonë mendon të njëjtën gjë. Të gjithë kundërshtarët dhe kritikët e idesë së shtetit bektashi në Tiranë kanë pohuar të njëjtën gjë, madje duke shpalosur disa syresh njohuri shumë me të gjera se sa ka shqiptuar a mund të ketë Rama.
