Kryeministri Edi Rama mban sot në orën 11:00 konferencën tradicionale të fundvitit, ku pritet të bëjë një bilanc të zhvillimeve kryesore të vitit 2025, si dhe të prezantojë prioritetet e qeverisë për vitin që vjen.
Në fokus të konferencës për shtyp do të jenë çështje të rëndësishme ekonomike dhe sociale, përfshirë rritjen ekonomike, zhvillimin e turizmit, investimet infrastrukturore dhe projektet strategjike që qeveria parashikon për periudhën në vijim.
Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe skandalit të AKSHI-t dhe problematikave që lidhen me sigurinë e të dhënave në platformat shtetërore digjitale, çështje që ka ngjallur shqetësim të gjerë publik dhe debat politik.
Po ashtu, kryeministri pritet të ndalet edhe te çështja që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila është në qendër të hetimeve dhe diskutimeve të forta politike ditët e fundit. Rama pritet të japë qëndrimin e tij mbi zhvillimet më të fundit dhe raportin e qeverisë me institucionet e drejtësisë.
Gjatë konferencës, Rama do t’u përgjigjet edhe pyetjeve të gazetarëve, si dhe komenteve dhe pyetjeve të adresuara nga qytetarët përmes rrjeteve sociale, në një format që synon transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.
Konferenca e sotme shihet si një moment i rëndësishëm politik, në një periudhë të ngarkuar me hetime, debate publike dhe pritshmëri të larta për vitin 2026.
