Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar situatën aktuale politike si një moment historik për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, pas një sërë skandalesh që sipas tij kanë tronditur rëndë vendin.
Në një aktivitet me strukturat e PD-së, Berisha deklaroi se opozita ndodhet përballë një prove vendimtare dhe se çdo hezitim në këtë fazë do të ishte i pafalshëm për elektoratin opozitar.
“Nuk ka akuzë më të rëndë ndaj nesh sesa nëse nuk i rrëzojmë këta tani. Nëse nuk e bëjmë, populli opozitar nuk do na e falë. Kjo kërkon sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike dhe aleatët e saj duhet të angazhohen në një veprimtari të gjithanshme politike, duke përfshirë protesta të vazhdueshme dhe mobilizim maksimal qytetar.
“Kërkohet të zëmë bulevardin derisa ky regjim të largohet dhe të shkojë para drejtësisë për vjedhjet që ka bërë. Ky nuk është vetëm interes i PD-së, por interes i shoqërisë shqiptare”, deklaroi ai.
Berisha vuri theksin edhe te përfshirja e të rinjve dhe profesionistëve, duke theksuar nevojën që dijet dhe aftësitë e tyre të vihen në shërbim të një projekti transformues për vendin.
Sipas tij, koha nuk pret dhe opozita duhet të përshtatet me një ritëm të ri veprimi paralel në disa fronte, për të përmbushur atë që e cilësoi si mision historik.
“Vetëm në këtë mënyrë mund t’i përgjigjemi sfidës së përmbysjes së një regjimi autokratik. Ky është shansi historik dhe nuk duhet humbur”, përfundoi Berisha.
