Sali Berisha deklaroi se përmes AKSHI-t është cenuar rëndë siguria kombëtare e Shqipërisë dhe marrëdhënia me vendet partnere. Sipas tij, janë vjedhur dhe shpërndarë të dhëna tepër sensitive, përfshirë informacione që lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe sigurinë strategjike të vendit, të cilat kanë përfunduar në duart e bandave kriminale dhe armiqve të Shqipërisë.
Ai e cilësoi dosjen e AKSHI-t si një nga skandalet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për vjedhje financiare, por për rrezikim të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare.
Berisha akuzoi kryeministrin se mban përgjegjësi direkte, duke pretenduar se AKSHI ka qenë jashtë çdo kontrolli institucional dhe nën ndikim familjar. Sipas tij, përgjegjësia e kryeministrit është më e madhe se ajo e zyrtarëve të tjerë të përfshirë, pasi skema ka funksionuar për vite me radhë pa asnjë pengesë.
Në fund, ai përshëndeti protestat e qytetarëve të Vlorës për mungesën e ujit dhe bëri thirrje për reagim të gjerë qytetar kundër korrupsionit dhe asaj që e cilësoi si një regjim që po rrezikon shtetin dhe të ardhmen e vendit.
