Berisha: Dosjet e Ballukut janë tronditëse, Rama bllokon drejtësinë

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qeveria aktuale mund të largohet vetëm përmes protestave të vazhdueshme dhe reagimit qytetar. Në një konferencë për mediat, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku për abuzime masive me fondet publike, duke folur për “miliona dhe miliarda euro të vjedhura nga taksapaguesit”.

Berisha tha se Rama është i implikuar drejtpërdrejt në dy dosje të rënda që lidhen me Ballukun, përfshirë tunelin dhe unazën, duke shtuar se mesazhet e zbardhura e nxjerrin kryeministrin po aq të përfshirë sa edhe vetë ministren. Ai e cilësoi skandalin e AKSHI-t si një rast unik në Europë, ku sipas tij, persona janë marrë peng vetëm pse merrnin pjesë në tendera, për t’i hapur rrugë interesave familjare.

Sipas Berishës, refuzimi për t’i hequr imunitetin Ballukut është provë se qeveria po bllokon drejtësinë për të mbrojtur vjedhjet. Ai e quajti këtë situatë një nga akuzat më të rënda që rëndojnë mbi qeverinë dhe paralajmëroi se opozita ka detyrimin moral dhe politik ta rrëzojë këtë pushtet.

“Ne jemi përpara një sfide historike. Kërkohet sakrificë, kërkohet të zëmë bulevardin deri sa ky regjim të largohet dhe të dalë përpara gjykatës”, u shpreh Berisha, duke theksuar se opozita ecën e sigurt drejt pushtetit.

Në fund, ai theksoi se Partia Demokratike po hyn në një fazë veprimi shumëplanësh, me angazhim më të gjerë të strukturave dhe qytetarëve, duke e cilësuar këtë moment si të pazakontë dhe vendimtar për përmbysjen e asaj që e quajti “diktaturë”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related