Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 4 janarit, gjatë një fjalimi të mbajtur përpara Kryeministrisë, ku sulmoi ashpër qeverinë dhe mënyrën e qeverisjes.
Lapaj e cilësoi situatën në vend si një sistem të kalbur dhe shtypës, duke thënë se Shqipëria është kapur nga një “mekanizëm monstruoz”, i cili nuk mund të rrëzohet nga një individ i vetëm, por vetëm përmes qëndresës së përbashkët qytetare.
Ai ironizoi edhe daljen e fundit publike të kryeministrit pas disa javësh mungesë, duke deklaruar se propaganda nuk po funksionon më dhe se pushteti po humb kontrollin mbi narrativën publike. Lapaj reagoi ashpër ndaj etiketimit të protestuesve si “700 tenxherexhinj”, duke e quajtur këtë një fyerje për qytetarët që kërkojnë drejtësi.
“Sot na quajnë tenxherexhinj, por tenxherexhinj janë ata që vjedhin atdheun, ata që vjedhin lekët e ilaçeve dhe të qytetarëve. Secili prej nesh është i vogël përballë këtij sistemi, por së bashku jemi forca që e rrëzon”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Lapaj theksoi se protesta e 4 janarit nuk do të jetë simbolike, por një mesazh i fortë kundër qeverisjes aktuale:
“Më 4 janar nuk do të tresim bakllavanë, por regjimin.”
