Hetimet dhe akuzat penale kanë shënjuar ministra, zëvendësministra, zyrtarë të tjerë të lartë të qeverive Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3, kryebashkiakë, bashkëpunëtorë, klientë, ortakë të tyre në aferat korruptive dhe eksponentë të krimit të organizuar të cilët kanë marrë bonuse të drejtpërdrejta nga qeveria. Më konkretisht në qeli sot që flasim janë dhjetëra socialistë të burgosur, të cilët akuzohen se janë përfshirë në zullume, por që në të vërtet kanë qenë firmat për shefat e tyre dhe drejtuesin kryesor të shtetit Edi Ramën që i kanë fundosur. Një skemë e ngjashme po përsëritet me tenderat për investimet rrugore, të cilat në mënyrë të dyshimtë janë rritur në mënyrë marramendëse brenda 5 muajsh dhe skandali në këtë mes është se Ministria e Transporteve me në krye Belinda Ballukun është duke shtuar fondet për projekte pa studime fizibiliteti.
Me urdhrat e ministres, me një të rënë të lapsit u shtuan 260 milionë euro investime. Kjo ishte një nga arsyet që ndodhën edhe ndryshime në qeveri, sepse ministri i kaluar i Financave Ervin Mete nuk pranoi të firmoste. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se ky i fundit kërkonte studimin e fizibilitetit që të shihte se, këto para që hidhen aty, janë të leverdishme nga ana ekonomike apo jo, por dokumentet që i erdhën në zyrë ishin vetëm 6 fletë dhe të paarsyetuara. Menjëherë me ardhjen e ministrit të ri iu hap rruga ndryshimeve të projekteve.
Shifrat
Vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar në datën 12 gusht ndryshoi Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, e cila ishte miratuar vetëm 5 muaj më parë. Në dokumente tregohet se vetëm për tre akse kryesore, kostoja është shtuar me 260 milionë euro krahasuar me vlerën e 5 muajve më parë. Bëhet fjalë për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, ndërtimin e rrugës së vjetër të Ndroqit si dhe bypassin e Elbasanit. Sipas dokumenteve, në listën e miratuar në mars të këtij viti, kosto totale për zgjerimin e rrugës Tiranë Durrës ishte caktuar sipas projektit në 205 milionë euro. Por me listën e ndryshuar katër ditë më parë, fatura e kësaj rruge është rritur në 298.8 milionë euro ose 45.4 për qind më shumë. Rritja është shumë më e rëndë në dy projektet e tjera. Për ndërtimin e rrugës së vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa në listën e miratuar 5 muaj më parë kostoja totale ishte parashikuar 39.8 milionë euro.
Por me listën e miratuar fatura që do të paguajnë qytetarët për ndërtimin e kësaj rruge është rritur në 87 milionë euro ose gati 2.2 herë. Dyfishim ka edhe për faturën e Bypassit të Elbasanit. Ky projekt ishte përcaktuar të kushtonte 120 milionë euro. Por me vendimin e fundit qeveria e ka dyfishuar koston e kësaj vepre në 240 milionë euro. Vetëm për këto tre projekte, qytetarët shqiptarë do të paguajnë 260 milionë euro më shumë nga sa ishte përcaktuar. Sipas qeverisë, arsyeja se pse është rritur kaq rëndë kostoja lidhet me rritjen e çmimeve të materialeve, pasi projektet e tyre janë bërë vite më parë. Por si mund të ndryshojë vlera dhe çmimi brenda 5 muajsh? Nga ana tjetër në listën e re është futur edhe një projekt i ri, i cili nuk ka qenë pjesë e listës ekzistuese të projekteve me rëndësi kombëtare. Bëhet fjalë për aksin Elbasan-lekaj, i cili do të kushtojë 360 milionë euro.
