Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë pushimeve dimërore të një familjeje në Japoni, ku një djalë vetëm 5 vjeç humbi jetën pas një aksidenti në një resort skish në rajonin Hokkaido.
Ngjarja u regjistrua mëngjesin e së dielës, më 28 dhjetor, në resortin e skive Asarigawa Onsen, në qytetin Otaru. Sipas autoriteteve japoneze, fëmija po përgatitej të zbriste nga një shkallë lëvizëse që lidhte zonën e parkimit me pistat e skive, kur u rrëzua dhe dora e djathtë iu bllokua në mekanizmin e pajisjes.
Edhe pse shkalla ishte e pajisur me sistem sigurie që duhet të ndalonte automatikisht në raste të tilla, ky mekanizëm nuk u aktivizua. Pajisja u ndal vetëm pasi nëna e fëmijës shtypi butonin e ndalimit emergjent. Ekipet e shpëtimit punuan për rreth 40 minuta për të çmontuar një pjesë të shkallës dhe për ta liruar vogëlushin, i cili u gjet pa ndjenja. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Menaxhmenti i resortit ka pranuar se sistemi i sigurisë ishte çaktivizuar më herët gjatë ditës, ndërsa policia ka nisur një hetim për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë në mirëmbajtjen apo funksionimin e pajisjes.
Shkalla lëvizëse ishte instaluar rreth gjashtë vite më parë dhe, sipas mediave vendase, edhe vizitorë të tjerë kishin raportuar më herët vështirësi dhe rrezik gjatë përdorimit të saj. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e sigurisë në resortet turistike gjatë sezonit dimëror.
