“Vlora shpërthen”/ Qytetarët në revoltë për mungesën e ujit, i prishin mbrëmjen gala Bashkisë

Data

Vlora është ndezur nga zemërimi i qytetarëve. Prej tre ditësh pa ujë të pijshëm, dhjetëra banorë kanë dalë në protestë dhe i kanë prishur mbrëmjen gala Bashkisë së qytetit, e organizuar në Teatrin “Petro Marko”.

Me bidonë bosh në duar, qytetarët u mblodhën përpara teatrit për të shprehur revoltën ndaj pushtetit lokal dhe qendror, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për krizën e ujit. Disa prej protestuesve arritën të hyjnë edhe brenda ambienteve të teatrit, duke ndërprerë aktivitetin festiv.

Mungesa e ujit ka detyruar banorët t’u drejtohen burimeve publike për furnizim minimal, ndërsa situata më problematike raportohet në spitalin e qytetit, ku pacientët po furnizohen me ujë përmes autoboteve të zjarrfikësve.

Sipas shpjegimeve zyrtare, një ndërhyrje teknike e kryer disa ditë më parë ka përfunduar në një avari të rëndë, pasi tubacioni kryesor i transmetimit, me diametër 1000 mm, ka pësuar çarje gjatë punimeve, duke nxjerrë jashtë funksioni të gjithë sistemin e furnizimit. Punimet kanë vijuar pa ndërprerje, por ende pa rezultat.

Banorët shprehen të alarmuar për rrezikun shëndetësor dhe mungesën e kushteve minimale të higjienës. “Jemi në prag epidemie. Tre ditë pa ujë, s’kemi si lahemi, s’kemi si jetojmë”, u shpreh një qytetar gjatë protestës.

Ndërkohë, institucionet premtojnë zgjidhje alternative për objektet e rëndësisë së veçantë, por për pjesën më të madhe të qytetit situata mbetet kritike, duke e kthyer mungesën e ujit në një krizë të hapur sociale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related