Pesë shtetas të nacionalitetit serb janë ndaluar nga Policia e Kosovës pasi kanë tentuar të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kamenicës, gjatë ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas burimeve policore, pas verifikimeve është konstatuar se të paktën njëri prej personave të ndaluar ka qenë ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura të Serbisë. Po sipas këtyre burimeve, ekzistojnë dyshime se ai mund të ketë lidhje me informacione apo aktivitete që synojnë cenimin e procesit zgjedhor.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa rasti po trajtohet me prioritet për shkak të ndjeshmërisë së procesit zgjedhor. Policia ka theksuar se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë dhe integritetit të zgjedhjeve në të gjithë territorin e vendit.
