Policia e Sarandës ka intensifikuar kontrollet në prag të festave të fundvitit për të parandaluar tregtimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike. Në kuadër të këtij plani masash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në disa subjekte tregtare në qytet.
Gjatë kontrollit në dy subjekte tregtare, janë konstatuar dhe sekuestruar 982 fishekzjarrë dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Lëndët piroteknike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë. Në lidhje me këtë rast ka nisur procedimi penal ndaj dy tregtarëve, shtetasit L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë.
Policia bën apel për respektimin e ligjit dhe paralajmëron se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin për garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë festave.
