Hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku kanë hyrë në një fazë të re dhe më intensive, teksa Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zgjeruar ndjeshëm rrethin e verifikimeve, duke shtrirë kontrollet te zyrtarë të afërt dhe biznesmenë të lidhur me tenderët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjatë ditës së djeshme, mbi 40 oficerë të BKH-së kanë zhvilluar një valë të gjerë kontrollesh në banesa dhe ambiente pune të zyrtarëve dhe subjekteve private, të cilët dyshohet se kanë pasur lidhje zyrtare apo private me Ballukun. Burime pranë SPAK konfirmojnë se kjo fazë shënon kalimin nga verifikimet paraprake në hetim të thelluar penal.
“Tani ka nisur hetimi”, ka deklaruar një burim i afërt me organin e akuzës, duke sinjalizuar se SPAK nuk ndodhet më në fazë administrimi provash, por në ndërtimin e një skeme të plotë përgjegjësish penale.
Brenda vetëm 20 ditësh, SPAK dhe BKH kanë intensifikuar ndjeshëm veprimet hetimore, ndërsa kulmi i kësaj faze pritet të jetë përballja institucionale në Kuvend, ku është depozituar kërkesa për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut.
Burime hetimore bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme janë ushtruar gjithsej 54 kontrolle në zyra dhe banesa, që përfshijnë drejtues dhe ish-drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe biznesmenë që dyshohet se kanë përfituar tenderë të paracaktuar në bashkëpunim me Ballukun dhe Evis Berberin.
Sipas strategjisë hetimore, SPAK po ndjek një model rrethimi penal, duke goditur fillimisht hallkat dytësore dhe tretësore të asaj që cilësohet si “klani Balluku”, me synimin për të ndërtuar një dosje të plotë që forcon pozicionin e akuzës ndaj subjektit të posaçëm.
Prokurorët e çështjes synojnë që, përmes këtyre veprimeve, të paraqiten para Komisionit të Mandateve me prova të reja, të cilat do të justifikojnë kërkesën për masë sigurie ndaj zëvendëskryeministres. Sipas SPAK, rikthimi i Ballukut në detyrë dhe vijimi i të njëjtit model drejtimi përbën rrezik për përsëritje të veprës penale.
Hetimet tashmë kanë hyrë në një fazë ku tërhiqen në skaner të gjithë personat që kanë pasur marrëdhënie kontraktuale, administrative apo private me procedurat e tenderëve të drejtuara nga Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj.
Mes personave të kontrolluar raportohet se janë zyrtarë të kabinetit të ministres, drejtues institucionesh, si dhe biznesmenë të njohur në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës. Në këtë kuadër, për herë të dytë është ushtruar kontroll edhe ndaj ish-sekretares së Përgjithshme të ministrisë dhe aktualisht drejtoreshës së KESH-it, të cilës i është sekuestruar sërish telefoni celular.
Gjatë operacionit janë sekuestruar dhjetëra pajisje elektronike, telefona dhe kompjuterë, të cilat tashmë janë kaluar për ekspertim kompjuterik. Prokurorët kanë urdhëruar kopjimin e plotë të të dhënave dhe analizimin e komunikimeve të zhvilluara përmes aplikacioneve të ndryshme.
Policia e Shtetit ka pasur rol mbështetës në këtë proces, pa marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet proceduriale, ndërsa i gjithë operacioni është drejtuar nga SPAK dhe BKH.
Belinda Balluku akuzohet për paracaktim fituesish në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje të rënda në shtatë procedura të lidhura me projektin e Unazës së Madhe. Më 31 tetor ajo është marrë zyrtarisht e pandehur, ndërsa tashmë pritet vendimmarrja e Kuvendit për imunitetin dhe masën e sigurisë.
