Hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku kanë hyrë në një fazë të re dhe më intensive, teksa Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë ndërmarrë një valë të gjerë kontrollesh ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve të lidhur me aktivitetin e saj institucional.
Gjatë ditës së djeshme, më shumë se 40 oficerë të BKH-së zhvilluan kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente pune të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të subjekteve private që dyshohet se kanë përfituar tenderë të paracaktuar. Në total, janë ushtruar 54 kontrolle, duke shënuar një nga operacionet më të mëdha hetimore të muajve të fundit.
Sipas burimeve pranë SPAK, qëndrimi sfidues i Ballukut ndaj hetimit ka sjellë agravimin e situatës, duke rënduar jo vetëm pozitën e saj penale, por edhe atë të bashkëpunëtorëve dhe biznesmenëve të lidhur me ministrinë. Hetimi nuk po fokusohet më vetëm te subjekti i posaçëm, por po shtrihet te i gjithë rrjeti administrativ dhe financiar që dyshohet se ka funksionuar rreth saj.
“Tani ka nisur hetimi”, ka deklaruar një burim i afërt me SPAK, duke sinjalizuar se çështja ka kaluar nga faza e verifikimeve paraprake në hetim të thelluar penal. Brenda një periudhe prej rreth 20 ditësh, SPAK dhe BKH kanë intensifikuar ndjeshëm veprimet hetimore, ndërsa paralelisht është depozituar edhe kërkesa për autorizim arrestimi në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas të dhënave, po ndiqet një strategji e qartë rrethimi penal ndaj të ashtuquajturit “klan Balluku”, me synimin për të goditur jo vetëm zëvendëskryeministren, por edhe degëzimet e tjera të skemës, përfshirë zyrtarë të lartë dhe oligarkë që dyshohet se kanë përfituar fonde publike përmes abuzimit me detyrën.
Burime hetimore bëjnë me dije se prokurorët synojnë të paraqiten para Komisionit të Mandateve me prova shtesë, në mënyrë që të forcojnë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut. Sipas SPAK, rikthimi i saj në detyrë dhe vijimi i të njëjtit model drejtimi përbën rrezik për përsëritje të veprës penale dhe për pengim të hetimit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dhjetëra telefona dhe pajisje kompjuterike, të cilat janë vlerësuar të ligjshme nga prokurorët dhe janë dërguar për ekspertim kompjuterik. Qëllimi është kopjimi i plotë i të dhënave dhe analizimi i komunikimeve të zhvilluara përmes aplikacioneve të ndryshme.
Mes personave të kontrolluar raportohet se janë drejtues të kabinetit të ministres, ish-zyrtarë të ministrisë, drejtues institucionesh dhe biznesmenë të njohur në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës. Për herë të dytë është kontrolluar edhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, së cilës i është sekuestruar sërish telefoni celular.
Në këtë operacion, Policia e Shtetit ka pasur vetëm rol mbështetës, pa kryer veprime proceduriale, ndërsa i gjithë procesi është drejtuar ekskluzivisht nga SPAK dhe BKH.
Belinda Balluku akuzohet për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje të rënda në shtatë procedura të lidhura me dosjen e Unazës së Madhe. Më 31 tetor ajo është marrë zyrtarisht e pandehur, ndërsa tashmë pritet vendimmarrja e Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit.
